Lojërat e fatit shtyjnë të miturit drejt krimeve
Lojërat e fatit po tërheqin gjithnjë e më shumë moshat e mitura dhe adoleshentët. Qindra nxënës të shkollave të mesme në Korçë rezultojnë si frekuentues të pikave të lojërave të fatit dhe atyre kompjuterike, ku dhe shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës. Në disa raste, të shkëputur nga procesi mësimor për të ndjekur këto lojëra, duket se çdo ditë e më shumë fenomeni po tërheq larg vëmendjes së librave dhe arsimit këto grupmosha. Një numër i madh të miturish dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Korçës, siç konfirmohet edhe nga ana e policisë lokale, janë të identifikuar dhe mbahen nën vëzhgim, pasi bëhen lehtësisht precedentë për vjedhje ordinere vetëm për këtë arsye, për të siguruar para për lojëra të kësaj natyre. Sipas burimeve të policisë, ka një frekuentim të lartë të pikave të lojërave të fatit nga moshat nën 18 vjeç, edhe pse, nga ana e strukturave të policisë, nuk bëhen të ditura statistikat për këto raste deri në momentin kur të mitur dhe adoleshentë kapen në kushtet e flagrancës, ose rezultojnë autorë të vjedhjeve të ndryshme. Shefi i Komisariatit të Korçës, Latif Kulla, shprehet se këta të rinj që frekuentojnë lojërat e fatit, madje edhe duke u shkëputur në shumë raste nga procesi mësimor, janë më të predispozuar për t‘u përfshirë në vjedhje dhe qëllimi i tyre është për të siguruar qoftë edhe shuma të vogla parash, me të cilat garantojë edhe vazhdimësinë në lojërat kompjuterike të pikave të qytetit, të cilat janë të shumta në numër. "Kemi të identifikuar raste të shumta të të miturve dhe adoleshentëve, që frekuentojnë lojërat e fatit. Në Korçë, ky fenomen është në rritje dhe ka një numër tepër të lartë frekuentuesish. Kjo "modë" në rritje, edhe pse më shumë lidhet me shkaqe ekonomike e sociale, nuk është lënë jashtë vëmendjes as nga ana e policisë, pasi në shumë raste këta persona, të cilët ne i kemi të identifikuar, rezultojnë autorë të vjedhjeve ordinere. Kjo kategori, që ne i mbajmë nën kontroll, është lehtësisht e prekshme për t‘u kthyer në kontingjent të këtyre veprave, ndërkohë që ata të cilët janë në mosha të vogla nuk ndiqen penalisht", thotë Latif Kulla. Sipas tij, në Komisariatin e Korçës nuk kanë munguar as rastet, kur për shkak të frekuentimit të lojërave të fatit, këta të mitur, ose adoleshentë largohen nga shkolla, apo nga banesat pa dijeninë e prindërve dhe më pas kërkohen nga këta të fundit si të humbur. "Ka pasur edhe raste të denoncimeve nga prindër, kur fëmijët e tyre nuk kthehen në shtëpi, ose janë larguar nga shkollat në drejtim të paditur, por në fakt janë gjetur më pas pikërisht në këto pika lojërash fati. Në raste të tjera, edhe kur nuk drejtohen me denoncime për humbjen e fëmijëve, paraqiten për të kërkuar ndërhyrjen e policisë për gjetjen e tyre, pasi kalojnë 24 orë dhe këta persona nuk kthehen në banesë. Më pas, ata kontaktojnë me të afërmit, por fenomeni është bërë i përhapur edhe në qytetin e Korçës", përfundon Kulla. Pak kohë më parë, një i mitur, 1-vjeçar nga fshati Çiflig i Korçës, u denoncua i humbur nga të afërmit dhe vetëm pas dy ditë kërkimesh, ai u gjet në qytet, ku kishte shkuar për të luajtur në kompjuter, pasi kishte me vete një sasi parash. Sipas policisë, i mituri kishte gjashtë muaj që frekuentonte lojërat e fatit.