Rrëshen, vidhen magazinat e "Bechtel Enka"
Vidhen magazinat e kompanisë, e cila po kryen punimet në rrugën Durrës-Kukës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka nisur punën për gjetjen e autorëve. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës bënë të ditur se persona të cilët ende mbeten të paidentifikuar, kanë plaçkitur në orët e para të ditës së djeshme, magazinat e kompanisë "Bechtel Enka", e cila po kryen punimet e segmentit kombëtar rrugor Durrës-Morin. Ngjarja, sipas të dhënave nga uniformat blu, ka ndodhur në pjesën e segmentit Rrëshen-Kalimash, kilometri i katërmbëdhjetë. Komisariati i Policisë së Mirditës konfirmoi për mediat se pranoi një kallëzim penal nga autoritetet e kompanisë "Bechtel Enka", e cila raportonte se në magazinat e saj janë vjedhur mallra me vlerë të përafërt prej pesë mijë dollarësh amerikanë. Sipas kallëzimit, ndër mallrat e vjedhura, janë edhe shumë sende personale të punëtorëve, të cilët i kishin vendosur ato në mjediset e brendshme të magazinave të "Bechtel Enka", që u plaçkitën gjatë natës, duke gdhirë dita e djeshme.