Identifikohen tre hajdutët e kazinosë
Policia e Elbasanit ka identifikuar tre hajdutë, por nuk është bërë e mundur ndalimi i tyre. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit, dje rreth orës 18.00, ka nxjerrë urdhra ndalimi për këta persona, nën akuzën e "vjedhjes në bashkëpunim". Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Elbasanit, prokuroria e këtij rrethi ka nxjerrë dje në mbrëmje urdhrin e ndalimit për D. Pjetrin, E. Bunecin dhe G. Sharkun, të tre, sipas burimit në fjalë, autorë të vjedhjes së kaziono "Atex" përgjatë bulevardit të Pedagogjikes. Burimet zyrtare konfirmojnë se tre të rinjtë kishin mundur të vjedhin me dhunë 12 milionë lekë në kazinonë në fjalë pesë ditë më parë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka bërë të mundur vetëm identifikimin e tyre dhe po punon për kapjen e tyre.