Zjarr në ish-Pallatin e Mediave
Incident në ndërtesën e sapoinauguruar
është djegur një pjesë e ndërtesës së re të qeverisë së Kosovës.Ish-pallati i mediave, “Rilindja”, që është rinovuar tërësisht dhe është inauguruar ditë më parë është përfshirë nga flakët në katet e sipërme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 e 40 minuta të mëngjesit të djeshëm, ndërsa nuk dihet cili ka qenë shkaktari i zjarrit. Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Agron Borovci ka thënë se pas njoftimit të gjitha ekipet e policisë, duke përfshirë edhe ata të forenzikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ai ka potencuar se edhe pse ka qenë një numër i madh punëtorësh që ende po punojnë në këtë objekt, fatmirësisht askush nuk është lënduar. Punimet në këtë objekt janë shpallur të finalizuar, në momentin kur është inauguruar, por megjithatë ende nuk është vendosur asnjë pjesë e stafit të qeverisë dhe vërehet numër i madh punëtorësh që po kryejnë ende punë brenda këtij objekti.
Inaugurimi i këtij objekti të ri qeveritar u bë më 18 nëntor, ndërsa rekonstruktimi i tij kushtoi rreth 15 milionë euro.
#