E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet me motoçikleta, pesë të plagosur në Elbasan e Laç

Me targa dhe pa targa, motoçikletat po bëhen burime gati të përditshme aksidentesh në qytetin e Elbasanit dhe zonat periferike të tij. Të paktën në dy ditët e fundit janë regjistruar tri aksidente me këto mjete motorike, ku të lënduarit ose janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ose edhe jashtë vendit. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se rreth orës 21.00 të së enjtes është arrestuar në flagrancë 39-vjeçari Bujar Biba nga fshati Katund i Ri, pasi me motoçikletën e tij pa targa ka aksidentuar 56-vjeçarin Abaz Deborva nga i njëjti fshat, i cili udhëtonte me të. Burime spitalore saktësojnë se 56-vjeçari, pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Elbasanit, është nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Një ditë më parë, rreth orës 01.00 të mëngjesit u aksidentua rëndë po me motoçikletë një 22-vjeçar, i cili u godit nga një makinë e tipit "Volkswagen". I riu i plagosur ndodhet tashmë për ndërhyrje tepër të specializuar në një spital të Shkupit në Maqedoni, ndërsa shkaktari i aksidentit u ndalua dje në mbrëmje. Aksidenti i fundit u regjistrua në fshatin Gjergjan të Elbasanit, ku 27-vjeçari Dashamir Nipolli, banor i fshatit Thanë, duke drejtuar motoçikletën e tij pa targa u përplas me një automjet të ndaluar jashtë rruge dhe u plagos rëndë.

Një tjetër aksident me motoçikletë ka ndodhur dje në mëngjes në qytetin e Laçit, ku dy të rinj u plagosën rëndë. Motoçikleta e drejtuar nga një adoleshent është përplasur me një kamion me targa LA 7229 A. Si pasojë është plagosur rëndë 16-vjeçari Edison Gjini së bashku me një bashkëmoshatar që udhëtonte me të. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku u janë nënshtruar mjekimeve intensive. Policia e Kurbinit ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke bërë edhe hetimet e para, nga çka rezulton se motoçikleta e drejtuar nga 16-vjeçari Edison Gjini ka qenë shkaku i aksidentit.

Sipas ekspertëve të policisë, jo pak drejtues të motoçikletave udhëtojnë me mjete të paregjistruara, pa kokore dhe jashtë rregullave të qarkullimit dhe aksidentet kanë ardhur për faj të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›