E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Puna e gazetarit në krizë, t‘i jepet fund informalitetit"

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka shprehur shqetësimin mbi gjendjen kritike social-ekonomike të shumicës së komunitetit të gazetarëve, që punojnë në tregun mediatik shqiptar. "Rreth 60% e mediave të këtij tregu gjatë 6 muajve të fundit u janë rikthyer inkorrektesave për pagat mujore të gazetarëve, paga që vonojnë nga dhjetë ditë, në dy dhe tre muaj. Sipas të dhënave që disponon Unioni, rezulton se nga 24 gazeta të përditshme, 16 prej tyre në mënyrë të përhershme nuk i respektojnë datat e dhënies së pagave të gazetarëve", shprehen drejtuesit e këtij Unioni. Sipas tyre, pagesat për sigurimet shoqërore janë të padepozituara si kontribut pranë tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ata ngrenë shqetësimin edhe lidhur me rekrutimet dhe largimet nga puna që nuk pasqyrohen në dokumentacionin e administratës së redaksive dhe rreth 25% e reporterëve të këtyre gazetave janë studentë që përdoren si element presioni ndaj komunitetit të reporterëve profesionistë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denoncuar indiferencën e qëllimshme të institucioneve shtetërore ndaj kësaj situate dhe konkretisht: Inspektoratin Shtetëror të Punës, autoritetin fiskal të Tatim-Taksave dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që sipas Unionit me mungesën e kontrolleve dhe ndërhyrjeve periodike, me kompleksin e shfaqur gjatë detyrimit ligjor për kontrollimin dhe verifikimin e këtij realiteti, kanë krijuar terren për shtimin e informalitetit dhe lulëzimin e punës në të zezë në median shqiptare. Drejtuesit e

Unionit të Gazetarëve Shqiptarë i kanë bërë thirrje qeverisë, duke iu adresuar Parlamentit të ri, të shpallur pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që të rendisin në krye të punës reformën kundër informalitetit në mediat shqiptare. Ata i janë drejtuar edhe institucioneve ndërkombëtare, ambasadorit të BE-së në Tiranë, ambasadorit të OSBE-së në Tiranë dhe kontributorëve të tjerë për mbarëvajtjen juridike në Shqipëri, të bëhen mbështetës efektivë të nismës për mbylljen e këtij realiteti të zi dhe prapambetës, sidomos në fushën e legjislacionit dhe legalitetit partnerial në media. Gjithashtu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka theksuar fort ofertën për institucionalizimin e urdhrit të gazetarëve, përmbushjen e nismës për nënshkrimin e kontratave të punës mes gazetarëve dhe administratorëve, si edhe respektimin e kontratës kolektive të gazetarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›