E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti me medalje ari plagos kushëririn për tokën

Mosmarrëveshjet për pronën kanë çuar në përleshje të ashpër dy kushërinj nga fshati Kreshpan i Komunës Cakran në rrethin e Fierit. Një student 19-vjeçar ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të tij dhe ka përfunduar në prangat e policisë. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit pohojnë se sherri mes kushërinjve Vilson Xhemaj dhe Leonard Xhemaj ka nisur në orët e vona të pasdites së të enjtes.

Familja e Vilson Xhemajt ka në pronësi disa toka të mbjella dhe disa të tjera që i përdor për kullota. Por, pasditen e së enjtes, Leonard Xhemaj ka marrë disa krerë dhen dhe i ka çuar për t‘i kullotur në tokat e Vilsonit. Ky i fundit i ka kërkuar kushëririt që e kishte edhe bashkëmoshatar të largonte dhentë nga kullota, por Leonardi ka refuzuar. Debati ka shkuar deri në konfrontim fizik. Ndërkohë që disa minuta më pas, 19-vjeçari Vilson Xhemaj ka gjetur në tokë një llamarinë dhe me të ka qëlluar mbi Leonard Xhemajn, duke i shkaktuar pesë plagë. Shpejt në vendin e ngjarjes janë afruar familjarët e dy të rinjve, të cilët kanë marrë të plagosurin Leonard Xhemaj dhe e kanë transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit. Mjekët thonë se plagët kanë qenë të rënda dhe se i dëmtuari ka pasur humbje të madhe gjaku, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe pak orë pas plagosjes ka vënë në pranga autorin e saj. Mbi Vilson Xhemajn tashmë rëndon akuza e "vrasjes së mbetur në tentativë". Dëshmitë e tij në polici, si edhe deklaratat e dëshmitarëve okularë kanë nxjerrë edhe motivin e kësaj ngjarjeje që lidhet me përdorimin e kullotave. Sipas policisë, edhe autori i plagosjes së rëndë ka pasur shenja dhune në trup.

Policia pohon se autori është student i vitit të parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën Inxhinieri Elektrike. Ai është student me rezultate të larta, ndërkohë që kishte përfunduar arsimin e mesëm me medalje të artë. Grupi i hetimit është shtangur përballë këtyre fakteve, por rrethanat e ngjarjes, si edhe pasojat e saj e kanë rënduar pozitën e studentit, i cili do të vuajë tashmë dënimin për mospërmbajtjen e treguar. Sherret për kullotat kanë përfunduar jo rrallë përgjakshëm në fshatrat e Qarkut të Fierit. Një javë më parë, në fshatin Hysgjokaj të rrethit të Lushnjës, një person mbeti i vdekur pasi u godit me thikë nga një bashkëfshatar i tij, për shkak të kalimit të sinorit nga një lopë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›