E Diel, 1 Nëntor 2026

Djathë si kolateral për kredi

Kasafortat e bankës rajonale italiane "Credito Emiliano" janë mbushur së fundmi nga 17 mijë tonë djathë parmixhan i cilësisë së lartë dhe i pëlqyer nga konsumatorët në të gjithë botën, bën të ditur agjencia "Bloomberg".

Banka ka vendosur të bëjë gjithçka që të ndihmojë prodhuesit vendës të djathit në Italinë e Veriut edhe në kohë krize si kjo dhe ka filluar të pranojë djathë si kolateral për kreditë e dhëna për fermerët. Në magazinat me temperaturë të kontrolluar të bankës, rreth 440 mijë rrotulla djathi kaçkavall me vlerë të përgjithshme prej 132 milionë eurosh, qëndrojnë në pritje.

"Ky mekanizëm është gjak për ne", thotë Giuseppe Montanari, një prodhues dhe tregtues djathi, i cili ka përdorur kredinë për të blerë qumësht. "Kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të financuar shpenzimet tona dhe me interesa të mira, ndërsa banka nuk rrezikon shumë, pasi mundet në çdo kohë të shesë djathin".

Ky lloj djathi është aq i shtrenjtë, sa një rrotull me peshë 36 kilogramë kushton 300 euro dhe është i etiketuar me një numër serie për t‘u gjetur në rast se vidhet. Hajdutët hapën tunele nën magazinë shkurtin e kaluar dhe ia dolën të nxjerrin 570 rrotulla para se të kapeshin nga policia.

Banka në fjalë e ka përdorur në fakt këtë lloj djathi si kolateral që nga viti 1953, duke krijuar një degë të specializuar për magazinim. Ajo ofron kredi me afat maturimi deri në 24 muaj, kohë kjo që përdoret për stazhionimin e parmixhanit para se të shitet në treg.

"Djathi parmixhan është përdorur për operacione financiare që nga koha e Mesjetës", thotë Leo Bertozzi, kreu i një shoqate vendëse prodhuesish. "Ky lloj djathi kërkon shumë kohë që të përgatitet dhe çdo bucelë është produkt i 550 litrave qumësht. Pra ka vlerë të lartë dhe kërkon kohë. Këto janë kushtet që detyrojnë ndërmjetësimin financiar", shton ai. Dikur, banka shqyrtoi edhe mundësinë për të marrë si kolateral proshutën apo vajin e ullirit, por produkte të tilla nuk dolën të përshtatshme për këtë funksion. Shitjet e djathit të llojit parmixhan arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro në vit në të gjithë botën.
Gjatë viteve ‘30, edhe Shqipëria arrinte të shiste djathë të këtij lloji jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›