Aksidentet, ndalohen dy shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor
TIRANË - Dy shtetas, përkatësisht 36 dhe 33 vjeç, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” u arrestuan në kushtet e flagrancës. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur të martën se u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së djeshme shtetasi Dritan Shaba nga Tirana. 36-vjeçari Shaba akuzohet se rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, teksa udhëtonte me automjetin e tij tek Ura e Farkës në Mullet, ka aksidentuar 40-vjeçaren Valbona Burnocaka, banore e asaj zone, në momentin kur kjo e fundit tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës. Ndërsa ndaj 36-vjeçarit Shaba u mor masa e arrestit, 40-vjeçarja Burnocaka u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje kritike për jetën.
Sipas këtyre burimeve, një tjetër shtetas, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit” u ndalua të hënën në kushtet e flagrancës, në rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet. 33-vjeçari Artur Pjetri, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, akuzohet se rreth orës 15:30 të ditës së djeshme ka përplasur me automjetin e tij një 47-vjeçar, i cili udhëtonte më një motoçikletë. Ndërsa mbi 33-vjeçarin Pjetri u mor masa e “arrestit”, 47-vjeçari Kullagjini, për shkak të plagëve të rënda, ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje kritike për jetën. Materialet hetimore lidhur me këto ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për hetime të mëtejshme, ndërkohë që ndaj dy shtetasve rëndon akuza e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", me pasoja për jetën.
Policia e kryeqytetit, duke kërkuar mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionin publik si dhe të gjithë përdoruesve të rrugës, sjell në vëmendjen e të gjithëve zbatimin me korrektësi të legjislacionit rrugor, me synim parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe sigurimin e rrjedhshmërisë normale të trafikut.
17 Qershor 2009