Militantët e PD-së rrahin kreun socialist të komunës Gjocaj
Shënohet një tjetër incident i rëndë gjatë fushatës elektorale. Gjatë ditës së djeshme, persona të identifikuar si militantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike kanë dhunuar kryetarin socialist të komunës Gjocaj në rrethin e Peqinit, Nazmi Gjyra.
Gjyra është rrahur nga militantët e PD-së për shkak të angazhimit të tij në fushatën elektorale për Partinë Socialiste. Menjëherë pas ngjarjes kanë reaguar drejtues të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit. Kandidati i PS-së në këtë qark, Agim Leka, tha se Gjyra është rrahur prej militantëve të PD-së dhe se dhuna ka qenë një presion i hapur politik ndaj anëtarëve të Partisë Socialiste. Gjatë ditës së djeshme është shënuar një tjetër incident. Partia Socialiste në Durrës ka denoncuar kandidatin demokrat për deputet, Bedri Luku, duke e akuzuar atë se ka organizuar heqjen e flamujve të PS-së të vendosur në shtylla në rrugën Maminas-Manëz. Në një deklaratë për shtyp, dega lokale e kësaj partie bën të ditur se flamujt janë hequr me anë të një vinçi në të dyja anët e rrugës. Sipas Partisë Socialiste dega Durrës, veprimet e kandidatit demokrat përbëjnë një dhunim të simboleve të PS-së, të papranueshme në një situatë zgjedhore.
Dega e PS-së në Durrës deklaron gjithashtu se u ka kërkuar drejtuesve të njësive vendore të Bashkisë Sukth, bashkisë Manëz dhe komunës Ishëm përcaktimin e vendeve të reja për vendosjen e flamujve, por deri tani nuk është marrë prej tyre asnjë përgjigje. Ndërsa një tjetër rast lidhur me heqjen e posterit të kreut të PS-së Edi Rama ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Durrës. Pas thyerjes së xhamit është grisur më pas dhe posteri i kreut socialist Edi Rama nga persona të panjohur.
17 Qershor 2009