E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet me letra me vlerë, zgjohet tregu stok i bonove të privatizimit

Ministria e Financave po studion skemën për rivlerësimin e bonove. Në total janë emetuar gjithsej 74.9 miliardë lekë bono privatizimi

Ervin KOÇI

Bonove të privatizimit, që shumë qytetarë disponojnë akoma në shtëpitë e tyre, po iu kthehet sërish vlera duke i rifutur ato sërish në përdorim. Pas deklaratës së kryeministrit Berisha, të bërë disa ditë më parë për mundësinë e një ligji, ku pagesa për ndërtimet pa leje të bëhet me bono privatizimi, çmimi i këtyre letrave me vlerë ka pësuar një rritje në treg vetëm një ditë pas njoftimit. Sipas këtij njoftimi, qytetareve do t’u jepet mundësia që 80 për qind të vlerës së objektit për legalizim ta paguajnë me bono privatizimi. Nga kjo pagesë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, e cila paguhet pranë pushtetit lokal. Përsa u përket qytetarëve, të cilët e kanë paguar vlerën 100 për qind, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka sqaruar se qeveria do t'u rimbursojë 80 për qind të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Gjithashtu qeveria ka miratuar edhe listën e pronarëve që do të kompensohen si dhe fondin e parave që do të përdoret për kompensimin e tyre. Bëhet fjalë për ata ish-pronarë, trojet e të cilëve janë zaptuar nga ndërtimet informale që janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Gjithsej janë 685 ish-pronarë. Vlera e fondit që do të përdoret për kompensimin e tyre arrin në 2.3 miliardë lekë. Ky vendim i qeverisë ka lëvizur gjatë ditës së djeshme procesin e shitblerjeve të këtyre letrave me vlerë në treg, proces që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i fjetur ose i mbetur stok. Sipas tregtarëve të tregut valutor në Tiranë, gjatë ditës së djeshme kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë shfaqur interes për të shitur apo blerë bono privatizimi.

Aktivizimi i tregut

Ditë më parë, sipas tregtarëve, bonot e privatizimit bliheshin nga tregtarët me 3-4 për qind të vlerës së tyre nominale, ndërsa dje çmimi i blerjes së këtyre bonove shkonte nga 6-8 për qind të vlerës nominale, ndërkohë që shiteshin me 10-12 për qind të vlerës së tyre nominale. Edhe pse gjatë ditës qytetarët e interesuar për tregun e bonove kanë qenë të shumtë ata janë shfaqur skeptikë përsa i përket futjes në tregtim të letrave me vlerë, proces që më parë nuk ka dhënë asnjë rezultat. Dje një bono privatizimi 10-mijë lekëshe blihej në treg me vetëm 7 për qind të vlerës së saj.

Bonot e privatizimit

Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë që përfituan nga letrat me vlerë ose bonot e privatizimit që qeveria e parë demokratike shpërndahu nga viti 1993-1995 për ta. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, u parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë ose bonove të privatizimit. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë. Ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010.

AMF-ja nënshkruan marrëveshje për letrat me vlerë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është bërë anëtar me të drejta të plota i Organizatës Ndërkombëtare të Autoriteteve të Letrave me Vlerë, pas nënshkrimit të Memorandumit shumëpalësh të Mirëkuptimit. Sipas AMF-së, ky nënshkrim është bërë gjatë konferencës së 34-t vjetore të organizatës. Ky anëtarësim është i një rëndësie të veçantë dhe vjen si kurorëzim i një pune të gjatë e intensive nga ana e AMF-së, shoqëruar me një proces të gjatë verifikimi, i cili solli nevojën e hartimit të një sërë aktesh rregullative. Kjo gjë hap rrugën e madhe të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me institucionet homologe në mbarë botën, duke shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të tregut të letrave me vlerë në Shqipëri. Nënshkrimi i këtij memorandumi është një detyrim për të gjithë anëtarët e IOSCO-s dhe procesi i nënshkrimit të tij duhet të përfundonte brenda vitit 2010. Në të përcaktohen kushtet për shkëmbimin e informacionit për arritjen e përputhjes me aktet ligjore dhe nënligjore të juridiksionit të autoriteteve.
Dispozitat e tij nuk krijojnë detyrime ligjore apo zëvendësim të legjislacionit vendas. Sot IOSCO njihet si një vendosës i standardeve ndërkombëtare për tregun e letrave me vlerë. Anëtarësimi i gjerë i organizatës rregullon më shumë se 90 për qind të tregut botëror të titujve dhe IOSCO është forumi i bashkëpunimit më i rëndësishëm i botës për agjencitë rregullatore të letrave me vlerë.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›