Makinat pa doganë, DPD-ja, aksion për grumbullimin e të ardhurave
Një aksion i paparalajmëruar ka nisur ditët e fundit në të gjithë vendin për kontrollin e makinave që qarkullojnë me targa të huaja ose më mirë që nuk kanë paguar doganën. Ky aksion është bërë i bashkërenduar nga Policia Rrugore, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Njësia e Krimit Ekonomik, si dhe Policia Tatimore. Sipas të dhënave, në vendin tonë ka shumë makina që qarkullojnë pa bërë pagesën e doganës duke përdorur letra formale dhe duke mos nxjerrë targat shqiptare. Kjo vjen për shumë arsye ku njëra prej të cilave është dhe fakti se pronarët e mjeteve që i sjellin nga jashtë këto makina, nuk pranojnë që të paguajnë doganën e lartë që kanë mjetet e përdorura në vendin tonë. Një tjetër shkak janë dhe automjetet e vjedhura ose që kanë probleme në dokumentacionin e tyre nga vendi nga i cili janë sjellë. Kjo gjë ka bërë që në arkën e shtetit të ketë shumë më pak të ardhura nga sa mund të grumbulloheshin pas pagesës së doganës së këtyre mjeteve që megjithëse qarkullojnë për vite të tëra në territorin shqiptar, sërish mbajnë targa të huaja. Po kështu edhe numri i makinave të siguruara në Shqipëri gjatë katër muajve të parë të këtij viti ishte më i ulët në krahasim me vitin e kaluar, fenomen që ndodh për herë të parë, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për periudhën janar-prill, në Shqipëri u shitën 105 mijë polica sigurimi për palët e treta (MTPL), ose rreth 500 më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Policat e sigurimit të përgjegjësive ndaj palëve të treta, të cilat blihen si detyrim ligjor nga pronarët e makinave të të gjitha llojeve, përbëjnë pjesën dërrmuese të të ardhurave të industrisë së sigurimit. Në Shqipëri besohet se qarkullojnë rreth 200 mijë makina, por deri tani janë shpërndarë targa për 360 mijë të tilla. Ekspertët e Ministrisë së Transporteve vlerësojnë se diferenca përbëhet nga makina që kanë dalë nga qarkullimi, por që pronarët tyre nuk i kanë dorëzuar targat. Shqipëria ka densitet shumë të ulët makinash në raport me popullatën, krahasuar me vendet e tjera fqinje apo vendet e Bashkimit Europian.
17 Qershor 2009