E Shtunë, 31 Tetor 2026

ÇËSHTJA “GËRDECI”, pranohet dorëheqja e gjyqtarit Omari nga trupi gjykues

Drejtuesit e Gjykatës së Tiranës pranuan dje kërkesën e gjyqtarit Kreshnik Omari

TIRANË - Drejtuesit e Gjykatës së Tiranës pranuan dje kërkesën e gjyqtarit Kreshnik Omari për dorëheqjen e tij nga trupi gjykues i çështjes “Gërdeci”. Omari e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë trup gjykues për shkak të konfliktit të interesit që ka me çështjen, pasi bashkëshortja e tij, avokate në një studio, mbron interesat e një prej të pandehurve të saj, përkatësisht Ilmi Laçaj.
Përzgjedhja
Kreshnik Omari ishte zgjedhur si drejtues i trupit gjykues të çështjes “Gërdeci” nëpërmjet shortit elektronik të organizuar në Gjykatën e Tiranës, pak ditë pasi kishin mbërritur për shqyrtim aktet procedurale të saj nga Prokuroria. Në këto kushte, kjo gjykatë pritet të ribëjë ditët e ardhshme shortin për caktimin e trupit gjykues për të nisur më pas shqyrtimin e çështjes, e cila ka 28 persona të pandehur, pjesa më e madhe e të cilëve ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare.
Ngjarja
Të pandehurit dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-Fabrikën e Demontimit të Municioneve, humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. Si i pandehur në këtë ngjarje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga të tjerët, është në procedimin e Gjykatës së Lartë, për shkak të cilësisë së tij, si deputet i Parlamentit Shqiptar. Dosja “Gërdeci”, për të cilën Prokuroria ngriti akuzë për 29 persona, tashmë është ndarë në dy pjesë. Njëra dosje ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë, me një të pandehur, ish-ministrin e Mbrojtjes, kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ndërsa dosja tjetër në Gjykatën e Tiranës, me 28 të pandehur të tjerë. Nga 29 të pandehur, të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i “MEICO”-s, Sokol Gjeçi. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›