E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë refuzojnë shërbimin ushtarak, alarm në zyrën e rekrutimit



ELBASAN – Kur ka mbetur edhe më pak se një vit që të hiqet shërbimi i detyruar ushtarak, të rinjtë po refuzojnë të kryejnë detyrën ndaj vendit të tyre. Zona e Elbasanit përmendet si problematike, pasi vetëm 20-25% e të rinjve i janë përgjigjur pozitivisht fletëthirrjes për ushtar. Sipas shefit të Qendrës së Rekrutimit, Fatri Kasapi, qendra është duke punuar me njësitë e pushtetit vendor për të realizuar planin, por shumë pak persona janë aktivizuar. Burime nga ky institucion shprehen se është bërë komisionimi i personave që duhet të kryejnë shërbimin ushtarak. Të rinjtë hezitojnë të paraqiten për të kryer shërbimin, madje shpeshherë mbështeten edhe nga familjet e tyre. Edhe masat penalizuese në këtë drejtim nuk kanë dhënë asnjë efekt. Një shqetësim tjetër për Ministrinë e Mbrojtjes është rekrutimi i ushtarëve profesionistë. Duke pasur parasysh se në prill të këtij viti forcat e armatosura bëhen anëtare me të drejta të plota të NATO-s del i nevojshëm rekrutimi i ushtarëve profesionistë, të cilët, veç arsimit të mesëm dhe të lartë, duhet të plotësojnë edhe disa kritere të tjera.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›