E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e Madhe drejt finalizimit, rritet vlera e tokës në zonat ku kalon projekti

Banorët në dilemë: të bëjnë akt shitje, apo të pranojnë shpronësimet?. Shtrirja e projektit në të gjitha zonat e përcaktuara nga specialistët

Emanuela Sako

Rritet vlera e tokës në të gjitha zonat ku do të shtrihet rruga për zbatimin e projektit të Unazës së Madhe. Pronarët e tokave, që ndodhen në rrugën kryesore, kërkojnë të shesin me një kosto më të lartë tokat e tyre për ndërtime të ndryshme. Në këtë mënyrë, rrugës ku do të bëhen ndërtimet do t’i shtohen mjaft ndërtesa të reja, që kryesisht do të jenë biznese. Duket se pjesa perëndimore e Unazës së Madhe do të jetë pjesë e zhvillimit të bizneseve të ndryshme. Në këtë aks rrugor do të ndodhë i njëjti fenomen siç ka ndodhur me disa zona të tjera të kryeqytetit, siç është pjesa anësore e autostradës Tiranë-Durrës, apo zonat e Komunës së Kasharit. Tashmë pritet që Tirana të marrë një zhvillim tjetër të biznesit dhe banesave luksoze, përveç zhvillimit urban që do të sjellë zbatimi i projektit.
Shpronësimit
Për banorët, kjo situatë, përvese është e favorshme, ka dhe problemet e veta. Të gjithë banorët e zonave që janë përreth janë vënë në dilemë, pasi nuk dinë si të veprojnë, nëse duhet të bëjnë akt-shitje të tokës, apo të pranojnë shpronësimin si të vetmen mundësi të ofruar nga qeveria. Ndërsa specialistët në Bashkinë e Tiranës kanë nisur verifikimin përfundimtar të pasurive të paluajtshme që preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe. Bashkia e Tiranës aktualisht është në fazën përfundimtare të verifikimit të pasurive dhe pronarëve që kanë dokumente të rregullta të pronësisë. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se së shpejti do të bëhet publike harta e shpronësimeve dhe ndërtimeve pa leje që do të prishen në zonën që prek projekti. Zona e shpronësimeve do të jetë nga fillimi i Shkollës Teknologjike, që është pjesa e Unazës së Madhe dhe deri te Rruga e Elbasanit. Në këtë itinerar që do të përshkojë rruga për ndërtimin e Unazës së Madhe, ka mjaft banorë që nuk gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe që shtëpitë e tyre do t’i nënshtrohen shkatërrimit. Projekti është financuar dhe hartuar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa donator është Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillim (BERZH).
Projekti
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Punën për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Shalsi, zbulon detajet e projektit të Bashkisë, e cila do të zgjidhte një hallkë të madhe për qarkullimin e automjeteve në kryeqytet. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.50 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në Komunën e Parisit dhe Rrugën e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.

Vlera e tokës, përcaktimi që është bërë nga Qeveria

Këshilli Ministrave ka përcaktuar çmimin e tokës mbi bazën e të cilit do të paguhen të gjithë pronarët që do të shpronësohen në zonën e Unazës së Re. Sipas vendimit të qeverisë, një metër katror tokë është vlerësuar me 12 335 lekë. Kostoja totale e shpronësimeve është 39 879 055 lekë. Afati i shpronësimit për të gjithë pronarët mund të përfundojë në muajt e parë të 2009-s, ndërsa përcaktimi me vendimin e qeverisë është e përcaktuar më 3 mars. Hartuesit e projektit të Unazës së Re kanë përpiluar listën e objekteve dhe tokës që do të shpronësohen nga ndërtimi i Unazës. Specialistët kanë përcaktuar dy kategori shpronësimesh: tokë fizike dhe ndërtesat që do prishen nga ndërtimi i rrugës.

Banorët, problemet e tjera që do të hasen gjatë ndërtimit

Në të gjithë këtë zonë të zbatimit të projektit janë dhjetëra qytetarë që kanë ngritur bizneset apo kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Një pjesë e banorëve janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë ata banorë që nuk kanë asnjë dokument pronësie. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo të banesës do të shpronësohen të gjithë. Ndërsa është përcaktuar harta e prishjes së ndërtesave pa leje dhe harta e tokës apo e pronave që do të shpronësohen, nuk është përcaktuar ende asnjë mënyrë ndihmese nga autoritetet për banorët që kanë ndërtesa pa lejë, të cilëve do t’u prishet shtëpia. I tillë është rasti i ndërtesave që u prishën pranë Maternitetit të Ri, për zbatimin e projektit për Lumin Lanë. Rreth 100 familje dolën në rrugë të madhe, pa shtëpi dhe pa asnjë mënyrë jetese. Me gjithë protestat e tyre me grevë, bashkia ua prishi banesat, të cilat ishin pa leje dhe ndodheshin në anë të Lumit Lanë. Bashkia e Tiranës u dha mundësinë për t’u trajtuar me bonusin e qirasë, ku të gjithë aplikantët e përfituan direkt këtë bonus. Ndërkohë që shifra në total e pronave që do kompensohen për gjithë projektin është drejt llogaritjes përfundimtare. Janë vetë pronarët ata që pas njohjes me projektin, depozitojnë në bashki pretendimet e tyre për kompensim të pronës që do t’u merret për ndërtimin e projektit. Certifikata e pronësisë dhe dëshmitë e tjera ligjore duhet të paraqiten së bashku me kërkesën për kompensim. Më pas bashkia bën verifikimin e kërkesave të pronarëve me përputhjen e tyre në zbatimin e projektit dhe cakton hapësirën e saktë që do të kompensohet. Pas përfundimit të verifikimit dokumentet kalojnë në Ministrinë e Transporteve, e cila përcakton masën dhe kriteret e kompensimit në bazë të rregullave.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›