Të droguarit në burgje, si trajtohen për të hequr dorë
Personat që drogohen bëhen shpeshherë kontingjent i krimeve dhe i arrestimeve nga policia, por për këtë kategori ekziston një mënyrë e veçantë trajtimi. Drejtuesi i qendrës terapeutike “Aksion Plus”, Genci Muçollari, rrëfen mënyrën se si bëhet trajtimi i të arrestuarve që marrin drogë. Sipas tij, shumica e të burgosurve e marrin trajtimin me Metadon që në dhomat e paraburgimit, por edhe kur të burgosurit janë në qeli. Kjo është arritur në vitin 2006, nga një marrëveshje e Ministrisë së Drejtësisë dhe “Aksion Plus”-it për shpërndarjen e Metadonit në burgje. Kështu, në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve, “Aksion Plus”-i siguron Metadon për dy burgje në kryeqytet dhe në të gjitha mjediset e paraburgimit. Mjekët e Drejtorisë së Qarkut Tiranë njoftojnë se ka të arrestuar të droguar dhe menjëherë bëhet e mundur që mjekët e Qendrës të japin mjekimin e menjëhershëm për personin e droguar. “Terapia e Metadonit në burgje bëhet sipas rasteve që arrestohen dhe mbahen në ambientet e paraburgimit. Zakonisht na merr në telefon mjekja në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, e cila na referon rastin në fjalë dhe verifikon nëse i arrestuari është klient i qendrës sonë. Por kjo gjë ndodh edhe kur arrestohen përdorues droge që nuk janë klientët tanë, të cilët kanë nevojë të trajtohen me Metadon”, - shprehet Genci Muçollari. Janë mjaft raste ku policia përballet me persona të tillë, që shpeshherë janë agresivë. Edhe pasi këta klientë transferohen në burgjet përkatëse në Tiranë, farmacia e burgut është pajisur me Metadon. Pra personat e dënuar kanë mundësi të marrin Metadon edhe në burgje, në mënyrë që të shmangin përdorimin e drogës dhe në pamundësi për t’u rehabilituar në një qendër të posaçme. Muçollari shprehet se për vitin 2009 kanë disa plane për një projekt më të zgjeruar për trajtimin e përdoruesve të drogës në burgje. Kjo do të arrihet me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë vitit 2008 janë trajtuar rreth 24 përdorues në burgje dhe zakonisht një punonjës i A+ ndjek procesin në bashkëpunim me mjekun dhe psikologun e burgut. Mjekimi jepet falas dhe për një periudhë të zgjatur kohore. Ndërsa në burgje, për vetë specifikën e institucionit, bëhet trajtim afatshkurtër. Ndërkohë që ky fenomen është tepër i zgjeruar, pasi në të gjithë vendin numërohen rreth 40 mijë persona që janë përdorues të drogave.
26 Janar 2009