E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Vlorës, Gjika: Moratoriumi shkatërroi turizmin

Një nga qytetet që ndihet më shumë problemi i moratoriumit të skafeve është Vlora. Shumë nga bizneset që operojnë në qytetin e Vlorës dhe aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me detin. Ata shprehen të shqetësuar kur mendojnë se ky ligj do të vazhdojë të jetë në fuqi dhe për një periudhë kohe të papërcaktuar. Një prej biznesmenëve në Vlorë është shprehur se kjo është një padrejtësi që u bëhet jo vetëm atyre, por në përgjithësi gjithë turizmit bregdetar. "Unë, që si aktivitet kam sportin ujor dhe pikërisht skafet dhe mjetet e tjera ujore nuk kam të drejtë të dal në det dhe të plotësoj kërkesat e klientëve, të cilët vijnë në hotelin tim për të vetmen arsye se aty do të gjejnë çdo gjë që ka të bëjë me mjetet që lëvizin mbi ujë", shprehet një nga pronarët e hoteleve bregdetare. Ndërsa kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është shprehur se që nga fillimi i miratimit të ligjit të skafeve, Bashkia Vlorë ka qenë kundër, duke pasur dhe shqetësimin e qytetarëve. "Ai ka qenë një vendim i marrë nga qeveria e sotme apriori për standardet që duhet të plotësonte me hyrjen në NATO dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Duke e mirëkuptuar deri në ditët e sotme, tashmë them se këtij vendimi i ka kaluar afati", shprehet Gjika.

Më tej, ai shpjegon se moratoriumi ka ndikuar në turizëm për shkak të faktit që qeverisja e sotme e ka të fshirë nga harta qytetin e Vlorës, jo vetëm në imazh, por edhe në përmbajtje. "Në përmbajtje, pasi është viti i tretë radhazi ku Bashkia e Vlorës ka depozituar 600-700 milionë lekë për zhvillimin e turizmit dhe ka marrë zero lekë", detajon kryetari i Bashkisë së Vlorës. "Patjetër që ka ndikim negativ edhe te pushuesi, pasi ka shumë vetë që vijnë të eksplorojnë dhe zbulojnë resurset turistike të qytetit tonë, ku më të rralla dhe më të bukura janë brigjet e Karaburunit dhe të Sazanit. Unë mendoj se ka ardhur momenti që ky moratorium të marrë fund, ndoshta kjo qeverisje e sotme nuk e ka moralin që ta bëjë", përfundon Shpëtim Gjika. Ndërsa drejtori i Kufirit dhe Migracionit për Vlorën, Myzafer Elezi, shprehet se nga brigjet e Vlorës dhe të Sarandës, për një vit e gjysmë nuk ka kaluar asnjë mjet në drejtim të shteteve fqinje. "Për këto dy vite, drejtoria jonë ka kapur katër mjete, të cilat kanë tentuar të shkojnë në Itali dhe në Greqi me lëndë narkotike dhe janë vënë para ligjit autorët. Dy mjete janë kapur në zonën e Karaburunit dhe ishin të ngarkuara me lëndë narkotike për në Itali dhe dy të tjera në Sarandë po dhe këto me lëndë narkotike për në zonën e Korfuzit", është shprehur Elezi. Më tej, është shprehur se po punohet që asnjë mjet të mos kalojë për në shtetet fqinje, duke e minimizuar deri në shifrën zero këtë fenomen. "Po ashtu, çdo pronar mjeti detar që ta përdorë në det duhet të këtë një sërë dokumentesh, që ne si drejtori ta lejojmë të peshkojë apo ta përdori për turizëm", deklaron Myzafer Elezi. Brenda katër viteve, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë ka kapur dhe sekuestruar 38 mjete detare si skafe dhe gomone.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›