Aksidentet në Tiranë, 53 viktima deri në nëntor
TIRANE- Aksidentet vazhdojnë të mbeten një fenomen shqetësues në rrugët e kryeqytetit. Pavarësisht rritjes së masave parandaluese, numri i personave që kanë gjetur vdekjen në aksidentet automobilistike në Tiranë është mjaft i lartë. Në këta 11 muaj, policia e qarkullimit raportoi 53 viktima dhe 56 të plagosur rëndë. Punimet në rrugët e ndryshme, që sjellin për pasojë dhe trafik të rënduar, janë cilësuar si shkaku kryesor i numrit të lartë të aksidenteve. “Megjithëse infrastruktura rrugore është në përmirësim, policia rrugore ka hasur vështirësi në menaxhimin e trafikut për shkak të punimeve në akse të ndryshme rrugore”, - tha shefi i policisë së qarkullimit të Tiranës, kryekomisar Krenar Ahmeti. Numri i ngjarjeve automobilistike në rrugët e Tiranës ka gjasa të pësojë një rritje të ndjeshme, për shkak të fluksit të madh të emigrantëve që do të mbërrijnë në Shqipëri për festat e fundvitit. Por, kryepolici Ahmeti tha se për të shmangur bllokimet në trafik janë marrë masa shtesë. Sa u përket aksidenteve, numri më i madh është shënuar brenda në qytet. Më pak problematike paraqitet gjendja në periferi dhe përgjatë autostradës që lidh Tiranën me Durrësin.
Analiza
Kryekomisar Krenar Ahmeti raportoi dje për punën e kryer nga komisariati i policisë rrugore gjatë këtyre 11 muajve. Duke iu referuar statistikave, rezulton se gjatë kësaj periudhe janë shënuar në Tiranë 417 aksidente rrugore, ku pjesa më e madhe kanë ndodhur në rrugët brenda qytetit. Për pasojë, kanë gjetur vdekjen 53 persona, 56 të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa 353 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta. Krahasuar me një vit më parë, numri i aksidenteve është thuajse i njëjtë, por është ulur ndjeshëm numri i viktimave. Më tej, Ahmeti renditi dhe shkaqet e ndodhjes së këtyre aksidenteve. Sipas tij, 316 aksidente prej tyre kanë ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve, 112 për mosrespektim të normave të shpejtësisë, etj.
Gjobat
Shoferët që janë kapur duke shkelur rregullat e qarkullimit janë ndëshkuar me gjoba të majme. Gjatë 11 muajve janë gjobitur 279.839 shoferë dhe vlera e gjobave kap shifrën e 277.341.801 lekëve. Kryesisht, vihet re rritja e numrit të gjobave për shoferët që nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, kur qarkullojnë me motorë. Gjithashtu, gjatë këtij viti punonjësit e qarkullimit kanë bllokuar të gjitha makinat apo motoçikletat që ishin të papajisura me dokumente apo targa. Për të parandaluar ngjarjet automobilistike, drejtuesit e qarkullimit thanë se janë marrë masat e nevojshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)