E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritoli në Kamëz, policia dyshon për 21-vjeçarin

Një 21 vjecar hetohet në gjendje të lirë për shpërthimin e një sasie tritoli dy ditë më parë në Kamzë të Tiranës. Tritoli ishte vendosur në serbatorin e një makine. Nga shpërthimi u dëmtua mjeti si dhe xhamat e banesave përreth. 

TIRANE- Policia ka identifikuar autorin e mundshëm të vënies së një sasie tritoli dy ditë më parë në Kamzë, ku si pasojë e shpërthimit u dëmtua një makinë në pronës të Tonin Ramës. Ai është Fatos Hilaj, 21 vjeç, me banim po në Kamëz. Burime nga policia thanë se i riu do të hetohet në gjendje të lirë, për shkak se nuk kanë prova të mjaftueshme për ta dërguar atë në qeli, por dyshime të forta se është pikërisht ai personi që ka vënë sasinë e tritolit në afërsi të shtëpisë së Tonin Ramës. Ngjarja për të cilën dyshohet 21-vjeçari ndodhi rreth orës 02.00 të mëngjesit të dy ditëve më parë, në oborrin e lokalit të 42-vjeçarit Rama, që ndodhet në agjen nr.4 në Kamzë. Një sasi e madhe tritoli e vënë në serbatorin e makinës tip “Toyota”, TR 2343 K ka shpërthyer dhe si pasojë është dëmtuar tërësisht mjeti, si dhe janë thyer xhamat e lokalit dhe banesës së Ramës. Por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Tonin Rama ka pohuar në polici se nuk ka konflikte me asnjeri, ndaj nuk mund t’i vërë gishtin askujt. Por, nga hetimet paraprake, policia ka ngritur dyshime të forta se 21-vjeçari Fatos Hilaj është autori i vënies së tritolit. Nuk dihen ende arsyet përse i riu e ka kryer një veprim të tillë, por shkaqet do të zbardhen gjatë hetimeve.

(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›