Aksidentet në fundjavë, 14 të plagosur
Fundjavë e ngjeshur në aksidente, plagosen 14 persona në ngjarje të ndryshme rrugore të ndodhura në rrugët e Qarkut të Durrësit, ngarkuar në trafik për shkak të fluksit të automjeteve në rrugë. Në segmentin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit, në Manzën e Vjetër, si rezultat i daljes nga rruga të një automjeti "Benz", me drejtues Albert Çipin, 35 vjeç, u plagosën ai, e ëma dhe dy gra të tjera që udhëtonin me ta. Ndërkaq, në aksidentin e Plepave ngelën të plagosur 3 pushues nga Tirana, ndërsa u arrestua drejtuesi i automjetit, Muharrem Avdyli, i cili rezultoi se kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli. Në superstradën Tiranë- Durrës, në Maminas, një automjet "Land Rover" me targë TR1895R, me drejtues Dashamir Krasniqin nga Tirana, ka goditur nga pas një mjet "Volksvagen" dhe si pasojë e përplasjes u dëmtua 6-vjeçarja S.T., e cila ishte pasagjere në mjet. Një tjetër e mitur u aksidentua ndërsa ishte në rrugë nga një automjet "Opel" me targa të huaja. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Manzë-Kthesa e Ariut. Ndaj drejtuesit të mjetit nisi procedimi penal dhe po ashtu dhe ndaj një tjetër shoferi nga Kruja, I CILI aksidentoi në Shkozet të Durrësit një këmbësore 39-vjeçare. Në aksidente të tjera rrugore mbetën të plagosur një 66-vjeçar nga fshati Goxhas i Shijakut dhe drejtuesi i mjetit tip "Ford" që humbi kontrollin e mjetit. Të njëjtin fat ka pasur dhe 26-vjeçari Durim Kila, nga Ishmi dhe nipi i tij 12-vjeçar. Aksidentet e raportuara zyrtarisht nga policia janë mbyllur në Shkafane të Manzës. Një motoçikletë tip "Yamaha", me targë DB41667, me drejtues shtetasin Euglen Bici, 31 vjeç, në afërsi të Urës është rrëzuar si pasojë e humbjes së kontrollit dhe duke u vetëplagosur. Ndaj drejtuesve të mjeteve nisën hetimet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.