Durrës, vetëvritet nëna e dy fëmijëve
Shtohen frikshëm rastet e vetëvrasjeve. Fundjava ka pasur një bilanc tragjik në Durrës, ku janë regjistruar tre raste tentativash vetëflijimesh. Për pasojë, dy vajza të reja kanë vdekur, njëra prej tyre nënë e dy fëmijëve, ndërsa një tjetër është nën kujdesin e bluzave të bardha. Rasti i parë është shënuar në fshatin Likesh të Komunës Gjepalaj, kur një peshkatar ka gjetur trupin e pajetë të një 18-vjeçareje të mbytur në rezervuar. Hekuran C., ka qenë duke peshkuar në rezervuar kur ka gjetur trupin e shtetases Anila L., 18 vjeçe, nga fshati Likesh i Komunës Gjepalaj. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se vajza ishte me prapambetje mendore dhe e lënë jashtë kujdesit të familjes në një orë të drekës ka mundur të dalë nga shtëpia dhe të shkojë drejt rezervuarit. Shtëpia e viktimës ndodhet rreth 300 metra larg rezervuarit dhe vajza është futur bashkë me rroba në ujë për të shuar vapën e drekës, ose të tjera rrethana mund të kenë ndikuar në vendimin e saj. Për pasojë, 18-vjeçarja është mbytur dhe më pas është gjetur nga peshkatari që ka njoftuar familjarët e saj. Burimet policore bënë të ditur se vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes së adoleshentes, ndërsa materialet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes i kaluan organit të akuzës durrsake për hetime të mëtejshme. Ndërkaq, përballimi i jetës e vetme, me dy fëmijë të vegjël për të rritur dhe pa një bashkëshort në krah, e ka detyruar një të re t‘i japë fund jetës së saj. Humbja e të shoqit disa muaj më parë nga rënia në korrent e ka futur në depresion 27-vjeçaren Anila D., me banim në Shijak. Ajo është dërguar në fundjavë nga familjarët e saj në spitalin e qytetit të Shijakut në gjendje të rëndë shëndetësore, pas një vetëhelmimi. Nëna e dy fëmijëve është ndarë nga jeta rreth dy orë pas dërgimit në spital, me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë nga mjekët. Për të zbardhur motivet e këtij vetëhelmimi është angazhuar seksioni i Krimeve të Rënda, agjentët e të cilit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kryen veprimet procedurale. Anila ka konsumuar një lëndë helmuese, e cila ende nuk është përcaktuar se cilit lloj i përket. Ajo ka tentuar dhe herë të tjera të vetëvritej, po nëpërmjet përdorimit të helmit. Hetimet zbardhën se para disa muajsh asaj i ka vdekur bashkëshorti nga rryma elektrike. Në fundjavë ajo ka qenë bashkë me njerëzit e burrit të saj në varreza, te varri i të shoqit dhe kur është kthyer në banesë ka përdorur lëndë helmuese. Gjatë këqyrjes së kufomës nuk ka pasur shenja dhune. Edhe në këtë rast, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dosja është bazuar në veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes. Hetimet për të njëjtën vepër penale kanë nisur për një tjetër rast, atë të 17-vjeçares Sonila M., nga Ishmi. Rreth orës 23:00 të një nate më parë, vajza është dërguar nga familjarët në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë shëndetësore. E mitura e ka marrë vendimin për të konsumuar medikamente mjekësore si një formë reagimi për të tërhequr vëmendjen e njerëzve të saj, pas një grindjeje familjare. Burimet bëjnë të ditur se ajo është në terapi intensive dhe situata e saj po përmirësohet.