Pi ilaçe, tenton të vetëvritet 38-vjeçarja
Një 38-vjeçare ka tentuar t‘i japë fund jetës duke pirë një sasi të madhe ilaçesh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Podgorie të Korçës, kur Vera Poçka është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga të afërmit e saj. Gruaja është transportuar me urgjencë drejt spitalit civil të qytetit, ku është konfirmuar se 38-vjeçarja ishte intoksikuar nga një sasi e madhe ilaçesh, që i kishte konsumuar pa kriter. Policia lokale ka pohuar se gruaja ka tentuar të vetëvritet, por pas ndërhyrjes së mjekëve ajo ka mundur të shpëtojë. Ndërkohë, ende nuk dihen motivet që mund ta kenë shtyrë gruan drejt vetëflijimit. Mësohet se 38-vjeçarja jetonte me familjen e saj dhe nga të dhënat ka rezultuar se nuk ka pasur konflikte, por sipas të afërmve, së fundmi ajo kishte shfaqur shenja depresioni.