Urbanët, “ferri” i udhëtimit të qytetarëve
Emanuela Sako
Linjat urbane të kryeqytetit nuk ofrojnë asnjë kusht për të mundësuar udhëtimin nga një zonë në tjetrën. Mungesa e kondicionerëve dhe kushtet higjienike bëjnë që udhëtimi të jetë i pothuajse i pamundur. Kushtet e krijuara nuk kursejnë dhe rënien e të fikëtit te qytetarët, të cilët nuk e durojnë dot vapën e nxehtë. Bashkia e Tiranës, parashikon në marrëveshjen e bërë me Shoqatën Kombëtare të Transportit Urban, krijimin e kushteve optimale gjatë stinës së dimrit dhe të verës. Sipas kësaj marrëveshje, urbanët duhet të jenë të pajisur me kondicionerë dhe duhet të fshihen apo të lahen vazhdimisht. Por, kjo gjë nuk ndodh në urbanë, ku vapa duket se të mbyt dhe papastëritia gjendet kudo. Po të vëresh përtokë apo në stola, shenjat e pisllikut kanë zënë 1 centimetër trashësi. Shoferët e urbanëve, pranojnë faktin se nuk i ndezin kondicionerët e urbanëve, pasi harxhojnë shumë gaz dhe ka një kosto të lartë të blerjes. Madje, ata janë vetë viktimë e kushteve të rnda dhe e vapës së nxehtë të verës.
Urbanët
Urbanët nuk ofrojnë as kushtet më minimale të udhëtimit. As ftohjen nëpërmjet kondicionerëve që është gjëja më e domosdoshme gjatë sezonit të verës. Në mjaft raste qytetarë të ndryshëm janë gjendur në gjendje të fikëti dhe janë nisur me ambulanca për në qendrat spitalore. Shkaku ka qenë temperaturat e larta dhe të papërballueshme. Shoferët e urbanëve shprehen se disa raste kanë ndaluar në rrugë për të zbritur qytetarët të cilët janë përballur me një gjendje asfiksie. Si dhe për raste të tjera. Kaosi i udhëtimit, duket se nuk do të përfundojë, derisa autoritetet vendore të marrin masa dhe të njihen me problemet reale. Një problem tjetër i madh dhe i pazgjidhur i udhëtarëve, janë hajdutët e xhepave, të cilët janë edhe frekuentuesit më të mëdhenj të linjave urbane. Ata që udhëtojnë çdo ditë me urban, patjetër që u ka ndodhur të përballen me ndonjë rast vjedhje, ku papritur kuleta është zhdukur nga çanta e dorës apo nga xhepat e pantallonave. Madje, shoferët dhe qytetarët që udhëtojnë përditë me urban i njohin dhe fytyrat e hajdutëve, të cilët në shumicën e rasteve janë agresivë dhe kërcënues.
Qytetarët
Ata që e vuajnë çdo ditë kaosin e krijuar me linjat urbane janë qytetarët, të cilët shprehen të revoltuar se udhëtimi me urban i’u është kthyer në një akth të vërtetë. Shpeshherë janë detyruar të udhëtojnë më këmbë dhe të braktisin urbanet. Por oraret e punës apo probleme të ndryshme familjare i detyrojnë të jenë në orare të caktuara dhe përësri u kthehen linjave urbane. Qytetarët shprehen se ankesën e tyre e kanë drejtuar vetëm shoferëve të urbanëve, pasi nuk dinë se ku të drejtohen tjetër.
14 Korrik 2008