E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Kamberi”, priten rezultatet e ekspertizës së gëzhojës së armës



Luan Kondi

TIRANË - Grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e vdekjes së shtetasit Gani Kamberi tetorin e vitit të kaluar në Kashar, mbetet në pritje të rezultatit të ekspertizës së gëzhojës së pistoletës së gjetur pak ditë më parë gjatë riekspertimit të vendit të ngjarjes. Burime nga prokuroria bënë të ditur të shtunën se ekspertiza e kësaj gëzhoje po realizohet në Laboratorin Qendror Kriminalistik në Tiranë dhe rezultatet e saj do të dalin pas disa ditësh.
Hetimi
Sipas këtyre burimeve, nëpërmjet kësaj procedure hetuesit do të hedhin dritë dhe sqarojnë pistat e ngritura për këtë ngjarje, nëse behet fjale për vetëvrasje apo vrasje të Gani Kamberit. Shtetasi Gani Kamberi u gjet i vdekur tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në Kashar te Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, viktima kishte marrë një plumb pistolete në pjesën e pasme të kokës. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes ekspertet e policisë gjetën dhe sekuestruan një pistoletë. Fillimisht hetimi u përqendrua tek pista e një vetëvrasjeje të mundshme të këtij shtetasi. Por, pretendimet e të afërmeve të viktimës, kanë bërë që grupi hetimor të marrë në konsideratë edhe pistën e një vrasjeje të mundshme të Gani Kamberit.
Ngjarja
Trupi i pajetë i 50-vjeçarit Kamberi u gjet tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, viktima kishte marrë një plumb në pjesën e prapme të kokës. Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, por pa mundur të gjejnë gëzhojën. Nga ana tjetër, të afërm të viktimës pretendojnë se ditën e ngjarjes kishin dëgjuar dy të shtëna armësh. Kufoma e Gani Kamberit u zhvarros pak kohë më parë për t’iu nënshtruar edhe njëherë ekzaminimeve nga ana e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kjo u realizua pas denoncimit të gruas se mund të jetë vrarë. Policia e kishte mbyllur dosjen e të ndjerit duke e klasifikuar atë si vetëvrasje. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, disa muaj më parë, Ganiu kishte zbuluar se jo vetëm se 16 dynymët i ishin mbivendosur, por toka e shtëpisë ku jetonin ishte shitur e rishitur deri pesë herë. “Burri im për pronën kishte shumë probleme. Edhe shtëpia ku banojmë ishte e shitur. Ishte mbivendosur emri i tyre. Kjo është tokë e trashëguar. Ai e zbuloi që ishte bërë shkelje 5 muaj më parë dhe për këtë arsye shtetasi Xhevahir Hyka ka rrahur burrin tim”, - është shprehur pak ditë më parë e shoqja e viktimës, Valbona Kamberi. Pak para se të vdiste 50-vjeçari e kishte denoncuar çështjen e tokave të tij në Prokurorinë e Tiranës.

Vuri dorë mbi punonjësin e rendit, ndalohet

Kavajë – Uniformat blu kanë arrestuar një të ri pasi ai ka kundërshtuar me dhunë duke goditur me grushte një punonjës policie. Burime policore thanë për gazetën se dje u arrestua menjëherë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë shtetasi Leonard Xhaferr Bishtaja, 26 - vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi i tij u kryes sepse dje në orën 24:00, në afërsi të komisariatit ka kundërshtuar me dhunë duke goditur me grushte një punonjës policie specialist i Kontroll - Territorit, i cili i ka kërkuar shtetasit tashmë të arrestuar, të ulë zërin e kasetofonit të automjetit, të cilën e kishte të parkuar dhe lënë me dyer të hapura, pranë komisariatit. Materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236 i Kodit Penal.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›