Aksidentet në punë, inspektorët e punës të jenë pjesë e hetimeve
Pjesë e hetimeve në aksidentet e ndodhura në punë me pasojë jetën, duhet të jenë edhe inspektorët e punës, si specialistë. Mosmarrja pjesë e tyre ka bërë që shpesh gjykimet të jenë të padrejta, duke krijuar i favorizime palës përgjegjëse. Për këtë, Ministria e Punës i ka dorëzuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë zyrtare për pjesëmarrjen e inspektorëve të punës në grupet hetimore të ngritura pas aksidenteve në punë.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Thoma Miço, sqaroi se mungesa e deritanishme e specialistëve në gjykimin e rasteve të aksidenteve, ka sjellë vendime dhe masa fiktive. Sipas tij, prania e një specialisti të punës në hetime do të vinte para përgjegjësisë firmën e ndërtimit duke e ndëshkuar dhe përmes ligjit nëse nuk siguron jetën e punëtorit. Numri i aksidenteve në punë që prej fillimit të këtij viti llogaritet në 6 raste. Ndërsa viti 2007 numëron 111 aksidente, nga të cilat 26 me pasojë vdekje. Krahasuar me vitin 2006, ku numri i aksidenteve ishte 146, rezulton të ketë një ulje të numrit të aksidenteve në masën 24 për qind. Të dhënat e ISHP-së tregojnë se aksidentet në punë përgjithësisht ndodhin nga mungesa e kushteve të punës, përdorimi i teknologjive të vjetra, moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, niveli i ulët i kualifikimit të punëmarrësve. ISHP-ja kërkon marrjen e menjëhershme të masave për parandalimin e aksidenteve në punë. Një prej masave më emergjente është ushtrimi i kontrolleve dhe inspektimeve, në mënyrë që ato të jenë sistematike. Njëkohësisht, e domosdoshme është të zbatohet me përpikmëri kodi i punës dhe jo vetëm të vihen gjoba ndaj subjektit dhe çështja ngelet me kaq. Gjatë vitit 2007 janë vendosur 253 gjoba në vlerën e 39. 796.060 lekë.
1 Mars 2008