Jeremiç i dërgon letër-protestë Ban Ki Munit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, i ka dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, me anë të se cilës ka paraqitur reagimin formal të Serbisë ndaj themelimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, të enjten në Vjenë. Sipas ministrit serb, formimi i këtij grupi është bërë në mënyrë të paligjshme, jashtë mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka theksuar se “ky është një akt tërësisht i papranueshëm për Serbinë” dhe se është e qartë se, “paraqet synimin që të anashkalohet Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Rezoluta 1244”. Jeremiç është shprehur se Serbia kurrë nuk e ka dhënë pëlqimin e saj për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë. Autoriteti i vetëm legjitim për vendosjen e pranisë ndërkombëtare në Kosovë është Këshilli i Sigurimit i KB-së, ka konkluduar në letrën e tij Jeremiç. Edhe kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, është shprehur, të premten, kundër misionit të EULEX-it në Kosovë. Ai ka thënë se misioni i UNMIK-ut është i bazuar në “të drejtën“ dhe se të gjitha të tjerat për Serbinë, “janë të paligjshme” dhe se ajo do t’i kundërvihet atyre.
1 Mars 2008