E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdes nga abonetë “false”, të hënën në treg të duhurat

Bashkia e Tiranës kërkon ndryshime për të shmangur falsifikimet. Abone të reja për Tiranën, të ndryshme nga bashkitë e tjera
Emanuela Sako

Qytetarët e Tiranës përsëri gjenden para Bashkisë, duke protestuar për mungesat e aboneve dhe mashtrimin që bëhet me to. Abonetë e linjave urbane, që zakonisht dalin në fund të muajit apo në ditët e para, edhe për muajin mars i mungojnë tregut. Bashkia e Tiranës, për këtë arsye ka kontaktuar me krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për prodhimin e aboneve të reja për Tiranën, krejtësisht të ndryshme nga ato të bashkive të tjera. Kjo pasi falsifikimi i tyre është bërë një fenomen i përditshëm. Gjatë takimit që nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka pasur me krerët e Tatimeve, ka vënë në dukje fenomenin e falsifikimit apo përfitimit në mënyrë të pandershme, si në rastin e një operatori në Kamzë. Sipas tij, ky operator shet abone pothuajse identike me ato të operatorëve të Tiranës dhe që përbën një rast flagrant mashtrimi. Ndërkohë që Shoqata Kombëtare e Transportit Urban, shpeshherë ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës për shkak të rritjes së çmimit të naftës.
Abonetë
Pritet që abonetë e reja të jenë në treg ditën e hënë. Të paktën këtë përgjigje ka dhënë Bashkia e Tiranës, ku pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të hedhë në treg prerjen e re të aboneve. Qytetarët duhet të kenë kujdes në abonetë që blejnë për shkak të falsifikimit të tyre. Të gjithë qytetarët që duan të pajisen me abone për të përdorur linjat brenda qytetit të Tiranës nuk duhet të blejnë asnjë abone të tillë të prerë, ku nuk dallohet qartë pjesa ku shkruhet Bashkia e Tiranës. Në rast të kundërt, nëse nuk dallohet qartë pjesa e shkruar dhe vihet re ndryshimi i ngjyrave, atëherë aboneja është false. “Morëm premtimin se do të prodhohen abone të reja, shpërndarja e të cilave do të fillojë këtë të hënë. Njoftojmë të gjithë qytetarët që duan të pajisen me abone për të përdorur linjat brenda qytetit të Tiranës, të mos blejnë asnjë abone të tillë të prerë ku nuk dallohet qartë pjesa ku shkruhet Bashkia e Tiranës”, - u shpreh Shalsi.
Qytetarët
Protesta e qytetarëve para Bashkisë është e përsëritshme, pasi situata e vështirë për çështjen e aboneve ka qenë e komplikuar dhe me mjaft problematike gjatë vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet po e njëjtë. Një nga kërkesat e hershme të qytetarëve ka qenë që çmimi i biletave të ngelet 20 lekë. Në ndryshim nga Shoqata Kombëtare e Transportit Urban, që si operator privat ka kërkuar në vazhdimësi rritjen e biletës në 50 lekë. Në të kundërt, nëse qytetarët nuk duhet të paguajnë një tarifë kaq të lartë, atëherë Bashkia duhet të ndërhyjë, duke subvencionuar një pjesë të çmimit, deri në 20 lekë. Ndërsa çmimi real që duhet të paguajë një qytetar të mbetet 30 lekë.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›