Aksidentet në punë, një i vdekur, tre të plagosur
Ka humbur jetën Lin Voci, punëtor në ndërtim. Policia nis hetimet për dokumentimin e ngjarjeve
TIRANË – Rritet numri i aksidenteve në punë në Shqipëri. Sipas raporteve të fundit policore, vetëm dje një person ka humbur jetën ndërsa 3 të tjerë janë aksidentuar rëndë në Tiranë e Vlorë. Duke iu shtuar këtu edhe 6 punëtorët e firmës maqedonase brenda 48 orëve 10 persona janë aksidentuar në punë. Inspektorati i Ministrisë së Punës ka dhënë alarmin dhe u kërkon firmave të ndërtimit zbatimin rigoroz të rregullave të sigurimit teknik në punë, pasi moszbatimi i tyre po sjell herë pas here viktima. Rastet më të shpeshta të vdekjeve janë konstatuar në minierën e Bulqizës.
Tiranë
Burime policore thanë për gazetën se një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë ndërsa ishin duke punuar në një godinë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Gjithçka ndodhi paraditen e djeshme, në një objekt në ndërtim pranë autostradës. Sipas burimeve policore, Lin Voci, 45 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa Isa Lama, 41 vjeç, ndodhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në gjendje të rëndë shëndetësore. Forcat e policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kryen hetimin për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Sipas këtyre burimeve, dy personat e mësipërm janë punonjës të firme ndërtuese. Ndërkohë, hetimet në vazhdim pritet të hedhin më tepër dritë rreth shkaqeve të aksidentimit në punë të dy punëtorëve të kësaj firme. Pas për5fundimeve të hetimit dokumentet do t’i kalohen prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vlorë
Një tjetër ngjarje ka risjellë në vëmendje zbatimin e rregullave në punë në qytetin e Vlorës. Aksidenti në punë ka ndodhur rreth orëve të mesditës. Në aksidentin, që për fat nuk ka shkaktuar viktima, janë plagosur 2 punëtorë të Ndërmarrjes Komunale të qytetit. Punëtorët kanë qenë duke punuar për hapjen e një kanali për derdhjen e ujërave të zeza, në zonën e Ujit të Ftohtë, kur janë zënë poshtë nga presa e betonit. Makineria duket se nuk ka pasur bazament të qëndrueshëm, duke rënë në kanal, sipër dy punëtorëve që ndodheshin brenda tij. Bashkim Laska, 54 vjeç dhe Lavdosh Rrapi 53 vjeç, kanë marrë plagë të shumta në trup dhe fytyrë, ndërsa janë ndihmuar nga kolegët duke u transportuar në spitalin e qytetit, prej nga mjekët sigurojnë se gjendja e tyre nuk është shqetësuese.
I aksidentuari në Fushë-Krujë në gjendje të rëndë shëndetësore
TIRANË - Gjashtë personat që mbetën të plagosur si pasojë e shembjes së një skele në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë, vazhdojnë të trajtohen me intensitet nga mjekët e Spitalit Ushtarak. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e maqedonasit Llazi Stavenkovski, i cili ka marrë dëmtime në pjesën e kokës, paraqitet e rënduar. Ndërkohë, gjendja e pesë pacientëve të tjerë paraqitet e stabilizuar dhe deri tani nuk përbën rrezik për jetën e tyre. Dunkan Retheford, 52 vjeç, me shtetësi angleze, Llazi Stavenkovski, 55 vjeç, me shtetësi maqedonase, Lajfi Jevernat, 27 vjeç, me shtetësi jordaneze, Besim Gashi, 37 vjeç, shqiptar me shtetësi maqedonase, Ali Sabah, 50 vjeç, me shtetësi libaneze, si dhe Elidon Arapi, 25 vjeç, me shtetësi shqiptare, mbetën të plagosur mesditën e së mërkurës ndërsa punonin në fabrikën e Çimentos në Fushë Krujë. Pas aksidentit, të plagosurit u transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku dhe po marrin ndihmën mjekësore.
14 Mars 2008