Qëllohet në sy dhe masakrohet pronari i mullirit, dyshime për krim brenda familjes
Mehmet Feleqi gjendet i vrarë dhe i masakruar në mullirin në pronësi të tij. Policia ngre dy pista: vrasje nga bashkëfshatarët dhe krim brenda familjes
FIER –Një nga katër pjesëtarët e familjes Feleqi, pronar i një mulliri në fshatin Ngjeqar të Rrethit të Fierit, është qëlluar me një plumb në sy dhe më pas është masakruar me disa thika në trup. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është vrarë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shtetasi Mehmet Feleqi, 32 vjeç. Ka qenë i ati i tij, Safeti, i cili ka parë të shtrirë trupin e të birit në mjediset e brendshme të mullirit të mërkurën në mëngjes dhe më pas ka njoftuar policinë. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur se janë shoqëruar në Komisariatin e Fierit tre persona, ndërsa ka dy pista hetimi në lidhje me këtë krim.
Vrasja
Safet Feleqi ka shkuar dje në mëngjes, si çdo ditë, në mullirin e fshatit Ngjeqar, të komunës së Kurjanit, pronë e tij dhe e tre djemve. Por sapo ka hapur derën e tij, ka parë të përgjakur trupin e të birit, Mehmetit. Kur është afruar, ka parë se i biri kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas dëshmisë së dhënë në polici prej të moshuarit, por edhe sipas ekspertizës së bërë nga policia, 32-vjeçari ishte qëlluar me një plumb pistolete në sy. Po ashtu, në trupin e viktimës kishte edhe disa plagë, të cilat rezultojnë të jenë shkaktuar nga goditjet me thikë. Trupi i tij ishte masakruar dhe duket se ai ka gjetur vdekjen shumë shpejt. Babai i tre djemve ka telefonuar menjëherë në polici, ndërsa forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në fshat për të zbardhur ngjarjen.
Hetimet
Pas verifikimit të vendit të ngjarjes dhe pas marrjes së dëshmive të para, policia ka shoqëruar në Komisariatin e Fierit tre persona, banorë të fshatit Ngjeqar. Nga të dhënat e para, grupi ka ngritur disa pista për autorët e ngjarjes dhe te dy prej tyre është përqendruar puna kryesore. “Së pari, dyshojmë për një vrasje të ndodhur për motive të dobëta”, - thotë një nga pjesëtarët e grupit hetimor. Sipas tij, vrasja dhe më pas masakrimi i Mehmetit mund të jetë bërë nga persona që jetojnë në këtë fshat. Ndërsa pista e dytë është ajo e një vrasjeje brenda fisit. Edhe në lidhje me këtë pistë, ekspertët e policisë pohojnë se po punojnë në mënyrë intensive, pasi dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për probleme pronësie. Po ashtu janë marrë në pyetje në mënyrë të detajuar dy vëllezërit e Mehmetit, si dhe babai i tij Safet Feleqi. Policia ka gjetur në vendngjarje një plumb pistolete tip TT, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Me të ardhurat që kishin grumbulluar, të gjithë vëllezërit kishin ndërtuar një mulli në fshat, në të cilin bluajnë drithrat të gjithë banorët e zonës. Me paratë që dilnin prej këtij aktiviteti, mbahej e gjithë familja Feleqi. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes pritet të vijnë edhe ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
PRECEDENTËT
1. Remzi Hoxha (Tiranë)
Biznesi: duralumin
I humbur më 21 tetor 1995
Pista e hetimit: vdekje nga rrahja
2. Shaban Fisheku (Tiranë)
Biznesi: tregtim karburanti
Vrarë në vitin 1997
Pista e hetimit: larje hesapesh
3. Koço Dado (Tiranë)
Biznesi: tregti mallrash ushqimorë
Zhdukur më 8 qershor 1998
Pista e hetimit: vrarë pas marrjes peng për 1 milion dollarë
4. Agim Xhixha (Tiranë)
Biznesi: tregti karburantesh
Vrarë më 18 mars 2000
Pista e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
5. Riza Çeço (Tiranë)
Biznesi: tregti këpucësh
Vrarë më 19 dhjetor 2001
Pista e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
6. Florian Vila (Tiranë)
Biznesi: tregti hekuri
Vrarë më 9 prill 2003
Pista e hetimit: konkurrencë dhe probleme personale
7. Arben Fodulli (Pojani) (Tiranë)
Biznesi: tregtar i njohur i mishit, pronar dyqanesh dhe floktoresh
Vrarë më 22 gusht 2003
Pista e hetimit: hakmarrje
8. Vajdin Lame (Tiranë)
Biznesmen
Vrarë më 28 shkurt 2005
Pistat e hetimit: konflikte për shkak të detyrës që kishte kryer si drejtor policie, konkurrencë në biznes
9. Edmond Malollari (Tiranë)
Biznesi: tregtar lubrifikantësh
Vrarë më 14 dhjetor 2005
Pista e hetimit: hakmarrje për borxhe
10. Artan Arsi (Tiranë)
Në pronësi një farmaci
Vrarë më 28 shkurt 2005
11. Ledio Bejleri (Tiranë)
Pronar i një dyqani në Tiranë
Vrarë më 30 shtator 2003
12. Florian Kulla (Durrës)
Biznesi: tregtar i motorëve "Aquascooter"
Vrarë më 15 korrik 2005
Pista e hetimit: larje hesapesh
13. Sokol Çapja (Elbasan)
Pronar i kompleksit "Univers"
Vrarë më 26 dhjetor 2005
Pista: larje hesapesh
14 Mars 2008