E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidentet në punë, për t'u mbrojtur s'kujtohet askush

07/02/2005  Dyfishohen aksidentet, 148 të aksidentuar, 16 kanë vdekur dhe shumë kanë mbetur invalidë

Viti që sapo kaloi, shënoi dyfishin e aksidenteve në punë, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që aksidenti i fundit ka ndodhur para një muaji, në ndërtesën "Edil Center", ku humbën jetën tre punonjës. Në analizën vjetore të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ministri Engjëll Bejtaj deklaroi se, për vitin e kaluar, rezultojnë 148 aksidente, nga 98 që ishin në vitin 2003. Ndërkohë, nga këto aksidente, 16 janë me pasojë vdekjeje, nga të cilët 7 në minierën e Selenicës, 3 në Tiranë, etj. Aksidentet në punë nuk janë marrë asnjëherë si fenomen shqetësues nga strukturat e shtetit. Askush nuk ka marrë asnjë masë, për kontrollin e sigurisë në punë, në pallatet të cilat po ndërtohen me shumicë kohët e fundit. Një tjetër fakt shqetësues është se, punëtorët e këtyre objekteve, shpesh punojnë në të zezë dhe nuk kanë asnjë përfitim apo kompesim në rast aksidentesh. Pas aksidentit, një pjesë e tyre mbeten me aftësi të kufizuara, por ata nuk përfitojnë dot pension invaliditeti, pasi janë të pasiguruar.

Mungesa e kontrollit

Inspektoriati Shteteror i Punës, nuk ka marrë asnjëherë asnjë masë konkrete, me gjithë rastet e përsëritura të aksidenteve të rënda në objektet e ndryshme, që janë në ndërtim e sipër. Gjatë viteve të fundit, nuk janë ndërmarrë kontrolle apo masa për ndërtuesit, të cilët nuk zbatojnë masat e sigurisë në punë. Në shumicën e pallateve në ndërtim, e vetmja masë sigurie që të zënë sytë, janë ca tabela të shkruara me bojë "Ki kujdes shokun" apo "Lart punohet", pa u shqetësuar askush se ata që punojnë, janë më të rrezikuarit, në një objekt të cilin e ndërtojnë me duart e tyre. Por, derivat i kësaj pune pa siguri për jetën, është edhe shtimi i madh i papunësisë. Dhe punëtorët fillojnë një punë pa marrë parasysh vështirësitë dhe rreziqet që të jep ajo. Duke qenë se njerëzit janë të detyruar të punojnë në kushte të vështira për të arritur të nxjerrin bukën e gojës, arrijnë të pranojnë gjithçka dhe me çdo ccmim. Kur kalon afër ndonjë objekti në ndërtim, të zë syri tabela që shkruajnë paralajmërime të ndryshme për këmbësorët. Por edhe punëtorët që punojnë lart duhet të kenë tabela të tilla të varura. Ose më mirë, këta punëtorë duhet të jenë të siguruar nga firmat që i marrin në punë, me të gjitha pajisjet e mundshme dhe të nevojshme për të punuar. Përveç sigurisë jetësore që i jepet me pagën që ata marrin, nëse janë dhe të rrezikuar në çdo moment në punë, duhet të jenë të siguruar dhe në vendin e punës. Gjë, që në të shumtën e rasteve, nuk ndodh. Ata duhet të pajisen me rripa sigurimi që të mbrojnë veten kur janë duke punuar. Por, po të vesh re, punëtorët që kanë ardhur nga vende të tjera për të zhvilluar aktivitetin e tyre në Shqipëri, janë më të kujdesshëm dhe i marrin masat e sigurisë në çdo moment.

Masat mbrojtëse, kulturë pune

Vallë të jetë kulturë pune që në vendin tonë nuk ka arritur ende? Mund të jetë edhe kjo arsyeja, por shumica e pronarëve janë më të përkushtuar për të përfituar sesa të sigurojnë jetën e personave që jua nxjerrin këto përfitime. Inspektorët tregojnë që disa pronarë kanë plerë dorashka, kostume pun,m apo kokore për punëtorët e tyre, por ato "flenë" në magazinë, pasi as punëtorët nuk e kanë për edukatë që t'i përdorin gjatë punës, e në këto kushte as ata nuk këmbëngulin gjatë për këtë gjë. Por, duke qenë se më tepër shqetësues është mos sigurimi i punëtorëve, inspektorët dhe kur shkojnë në një firmë përqëndrohen tek ky problem dhe jo te masat mbrojtëse në punë.

I pasiguruar, shqetësuese, por pranuese

Informaliteti vazhdon të mbetet problemi më i rëndësishëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës në veçanti dhe i luftës kundër ekonomisë informale në përgjithësi. Janë kryer 111 inspektime ankesa. Gjatë kësaj periudhe prej organeve të sigurimeve shoqërore dhe të tatimeve jane futur në skemë 2160 punëmarrës ilegale të evidentuar gjatë inspektimeve të kryera. Për shkelje të Legjislacionit të Punës në këtë sektor janë vendosur 49 masa administrative me një vlerë 5.706.000 Lekë. Krahasuar me vitin 2003 në vitin 2004 papunësia është ulur vetëm 0.6% që do të thotë se numri i njerëzve që kanë gjetur punë ka qenë 5600 në sektorin provat. Sipas të dhënave zyrtare 157 mijë shqiptar janë të papunë dhe këtu llogariten vetëm qytetet pasi fshatrat konsiderohen të vetpunësuar. Prioritet i Ministrisë së punës është lufta kundër punës së zezë. Pjesa më e madhe e fuqisë punëtore shqiptare është e angazhuar në sektorin privat. Një pjesë e konsiderueshme e tregut shqiptar të punës është punësimi informal, e ashtuquajtura "puna e zezë", e pasiguruar. Sipas sondazheve të Inspektoratit Shtetëror të Punës, informaliteti zë mbi 30% të tregut të punës. Kontrollet e ushtruara në këtë sektor kanë bërë të mundur uljen 5-10% të këtij treguesi. Më të shumtët në rradhët e të papunëve janë grupmoshat 20-24 vjec dhe mbi 35 vjec. Duke parë këto shifra mund të thuhet se njerëzit detyrohen në një farë mënyre që të pranojnë një punë pasiguri për jetën, për arsye të ndryshme, familjare dhe ekonomike.

Papunësia fenomen tronditës

Është një fenomen i përbashkët për të gjithë të jesh pa punë dhe të mos dish se si ta nxjerrësh bukën e gojës për vete dhe për familjen. Në të gjithë vendin është e njëjtë situata. Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi, përfshijnë 40 % të papunësisë në shkallë vendi. Më konkretisht: Qarku i Shkodrës dhe Lezhës kanë papunësinë më të lartë në shkallë vendi. Në Qarkun e Shkodrës papunësia zyrtare është 25.000 persona ose 21.4%. Në Qarkun e Lezhës papunësia është 16.000 persona ose 22.3 %. Për të dy qarqet përbën 25% të papunësisë në shkallë vendi. Vendin më të madh e zënë ata me arsim tetëvjecar. Shifra zyrtare e papunësisë në Shkodër është 25 mijë persona, ose 21.4 % e forcës së aftë për punë. Ndërkohë PNUD, ka bërë një studim në lidhje me objektivat e mijëvjeçarit dhe shifra e papunësisë rezulton 60 %. Shifra zyrtare del më e ulët se realja jo vetëm sepse nuk përfshihen banorët që jetojnë në fshatra, pasi quhen të vetpunësuar, por dhe se llogaritja bëhet në bazë të numrit të njerëzve që rregjistrohen në Zyrat e Punësimit, si punëkërkues. Dihet se pak shqiptarë presin nga shteti për të gjetur punë.

Shkaqet e papunësisë

Kështu papunësia e regjistruar në fund të dhjetorit 2004 rezultoi 163.561, nga 175.700 punëkërkues në dhjetor të vitit 2003, ose 12.33 %, krahasuar me nje vit më parë 0.7 % me pak. Fenomeni i gjakmarrjes, i cili është evident dhe me prirje rritjeje, ka prekur dhe fëmijët, të cilët për këtë shkak braktisin shkollën. Në zonat veriore është fenomeni më i shpeshtë që në një familje të ketë shumë të papunë. Shkaqet janë të shumta. Gjakmarrja është një faktor që ndikon në analfabetizëm dhe papunësi. Janë të ngujuar mbi 1 mijë fëmijë të rreth 1370 familjeve me rreth 7000 familjare. Nga pikëpamja arsimore rezulton se 54% të totalit të punëkërkuesve të papunë i përkasin nivelit arsimor 8 vjeçar dhe se 30 % janë punëkërkues pa profesion, 20% janë punëtorë të bujqësisë dhe të industrisë nxjerrëse. Objektivi i rëndësishëm gjatë vitit ka qenë rritja e përfitimeve nga sigurimet shoqërore. Për rrjedhojë janë realizuar rritjet e pensioneve dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimit në buxhetin e shtetit duke filluar nga 1 korriku 2004. Në bazë të vlerësimit të treguesve ekonomiko-sociale, të sjella nga njësitë e pushtetit vendor, janë disbursuar 4 miliardë lekë, të cilën e kanë përfituar rreth 125 mijë familje. Numri i familjeve në skemë është ulur me 6000 ose 4%. Për periudhën janar – dhjetor 2004 janë trajtuar rreth 48.031 Persona me aftësi të kufizuar dhe 8.132 kujdestarë ose rreth 3% më shumë se në fillim të vitit, të cilët kanë përfituar 4.7 miliardë lekë.

Masat mbrojtëse në punë

Sigurimi teknik

Rretat mbrojtëse në çdo kënd kati ku punohet

Në minier matet niveli i gazit karbonik

Tabala paralajmëruese

Sigurimi i punëtorit

Rripi i sigurimit

Kokore

Kominoshe

Dorashka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›