Studimi: 40 % e shqiptarëve kanë dhënë rryshfet
07/02/2005 PNUD ka publikuar raportin më të fundit për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, ku vlerësohet se 40 përqind e të intervistuarve, kanë deklaruar se kanë dhënë rryshfet në këmbim të një shërbimi më të mirë, apo për shmangien e pritjeve të zgjatura. Në këtë raport theksohet se në studimin e bërë janë intervistuar shtresa të ndryshme të popullsisë, në lidhje me nivelin e shërbimit prej institucioneve shtetërore. Sipas të dhënave, shqiptarët kanë dhënë para nën dorë për të përshpejtuar procedurën e marrjes së dokumenteve, apo për të përfunduar sa më shpejt dhe pa vuajtje kërkesat dhe nevojat që ata kanë. Pak ditë më parë një studim të përafërt ka paraqitur dhe zyra për mbrojtjen e qytetarëve në Tiranë. Në këtë studim tërhiqej vëmendja dhe për mungesën e dhënies së informacionit prej institucioneve. Mungesa e të dhënave, sipas ZMQ-së, detyron shqiptarët të japin rryshfet për të përfunduar punë. Ndaj është kërkuar marrja e masave për të informuar publikun mbi përcaktimin që japin ligjet në Shqipëri.