E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria paraqet në Këshillin e Evropës projektligjin e konfliktit të interesave

07/02/2005  Shtyhet diskutimi mbi propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim

Qeveria shqiptare i ka paraqitur përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, projektligjin për konfliktin e interesave, i cili synon shmangien e abuzimeve prej pushtetarëve, në favor të interesave të tyre private. Burimet kanë bërë të ditur se, për këtë veprim, është informuar zyrtarisht dhe Kuvendi i Shqipërisë, duke sjellë dhe bllokimin për diskutimin e një drafti të paraqitur prej Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka të njëjtin qëllim. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e LSI-së në Kuvend, kanë shfaqur rezervat e tyre në lidhje me pezullimin e diskutimeve. Ata janë shprehur se kanë paraqitur në Kuvend projektligjin për konfliktin e interesave që tre muaj më parë, dhe sipas rregullores së Kuvendit, ai duhet të diskutohet në Komisione. Ndaj, ata janë shprehur se nxjerrja e këtij drafti jashtë punimeve parlamentare, përbën një shkelje të rregullores së Kuvendit. Në përgjigjen zyrtare, kreu i Kuvendit është shprehur se do të pritet përgjigja e ekspertëve të Këshillit të Evropës, për variantin e qeverisë dhe më pas do të vijohet me të dy projektligjet. Faktikisht, propozimi i qeverisë dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim synojnë të njëjtën gjë, luftën kundër korrupsionit në administratë. Në masat e propozuara është theksuar përjashtimi nga detyra të funksionarëve që përdorin pushtetin e tyre për të marrë vendime të paligjshme, ose për të përdorur informacionin që ata kanë në favor të biznesit të tyre privat. Gjithashtu, një tjetër masë parashikohet deklarimi i dhuratave që mund tu lejohet të marrin pushtetarët si dhe kalimi në pronësi të shtetit, të dhuratave që kalojnë mbi 150 mijë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›