Aksidentet në rrugë, Policia shton kontrollet ndaj drejtuesve kundërvajtës
TIRANË - Tre aksidentet rrugore që ndodhën brenda 24 orëve, nga të cilat një me pasojë vdekjen dhe dy me të plagosur rëndë në kryeqytet, kanë vënë në alarm Komisariatin e Policisë Rrugore. Uniformat blu kanë nisur kontrolle të rrepta ndaj drejtuesve të mjeteve, sidomos shkelësve të rregullave të qarkullimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke marrë shkas nga këto aksidente, ka bërë thirrje që të gjithë ata persona që qarkullojnë në rrugë me ose pa automjete, të bëjnë kujdes dhe të tregohen të vëmendshëm në zbatimin e normave të sjelljes, të sanksionuara në Kodin Rrugor. Moszbatimi i tyre po paguhet padrejtësisht me jetë. Burimet zyrtare policore thanë se tre persona janë arrestuar me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Një prej tyre është 18-vjeçari Erand Mejdani, i cili duke drejtuar tip “Ford”, me targa TR 7484 F, pranë shkollës “Vasil Shanto”, aksidentoi këmbësorin Dhimitër Beluri, 80 vjeç, i cili ndërroi jetë më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Aksidenti tjetër ndodhi në Kamzë, kur shtetasi Edmond Kllogjeri, 30 vjeç, duke drejtuar automjetin furgon tip “Mercedes-Benz”, me targa TR 4091 J, aksidentoi këmbësorin Isuf Cani, 45 vjeç, banues në Kamzë, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa në Laprakë, shtetasi Fatmir Likja, 35 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa CE 647 GX, në Rrugën e Durrësit, aksidentoi rëndë këmbësorin Ajet Arapi, 44 vjeç, banues në Tiranë. Çështjet penale për këto aksidente i kaluan prokurorisë për veprat penale të shkeljes së “rregullave të qarkullimit rrugor”.
23 Janar 2009