E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e Madhe, ndryshimet që do të pësojë zona që preket nga projekti



Prezantohet projekti i Unazës së Madhe, që përfshin pjesën perëndimore të kryeqytetit dhe detajet që janë pjesë e zbatimit. Kryebashkiaku Edi Rama paraqiti dje projektin për segmentin jugperëndimor, i cili nis me kryqëzimin nga Rruga e Kavajës deri në kryqëzimin me Rrugën e Elbasanit. Kjo arterie do të sjellë përmirësimin e situatës së trafikut, që deri në vitin 2020 parashikohet të pësojë rritje në masën 80%. Për herë të parë do të ketë një qendër kontrolli të trafikut, ndërkohë që do të rritet siguria në të gjitha kryqëzimet. Kryebashkiaku u shpreh me tone kritike duke fajësuar procedurat burokratike dhe përplasjet me strukturat e qeverisë që pengojnë zbatimin e projekteve.
Zbatimi
Ajo çka pritet për zbatimin e projektit është kredia që do të japë BERZH-i, i cili ka dhënë miratimin paraprak. Tashmë është bërë ekspertiza ndërkombëtare, ku janë bërë të gjitha matjet dhe vlerësimet në të gjitha zonat ku do të kryhen punimet për ndërtimin e rrugës. Projekti është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2011. Fillimi i punimeve për ndërtimin e segmentit të parë të Unazës së Madhe është segmenti nga Rruga e Kavajës deri në Rrugën e Elbasanit, ku përfshihet mbikalimi pranë ish-Shkollës Teknologjike.
Projekti
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Punën për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.50 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si te “Komuna e Parisit” dhe te Rruga e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›