E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkati i parasë dhe sindikatat



Luan Shtëpani

Në mbledhjen e 24 dhjetorit 2008, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim disa projektligje e vendime të rëndësishme. Z. Berisha po në këtë mbledhje nuk harroi t’u referohet vendimeve që ai ka marrë vite më parë përsa i përket ndarjes së pasurisë së Bashkimeve Profesionale, sindikatave të krijuara në vitin 1991. Ai u shpreh se, “një tjetër projektligj i rendit të ditës është ai për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile. Ky ligj synon të krijojë një agjenci për shpërndarjen e fondeve. Ne jemi të vendosur që çdo vit të përcaktojmë fonde për shoqërinë civile. Por shpërndarja e këtyre fondeve ka karakter delikat. Kjo shpërndarje nuk duhet të cenojë kurrsesi autonominë e plotë dhe të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile. Po ju tregoj atë që ndodhi me sindikatat. Bëra Dekret për dhënien e pronave të Bashkimeve Profesionale për sindikatat, por ato harruan sindikalizmin dhe u morën me biznes. Ky nuk ishte kurrsesi qëllimi im. Ata nesër mund të reagojnë ashpër ndaj meje, por unë do t’i them të vërtetat siç i perceptoj. Por kjo nuk mund të ndodhë me shoqërinë civile”.
Sa më sipër, kryeministri i vendit angazhohet për korrigjimin e gabimeve të bëra në lidhje me humbjen e oponencës së vërtetë nga sindikatat, veprim që duhet përshëndetur nga të gjithë dhe në veçanti nga sindikalistët e ndershëm që pa të drejtë kanë marrë njollën e turpit për shkak të abuzimeve të disa titullarëve ekzekutivë.
Dhuna ndaj të vërtetës bëhet më e ashpër karshi njerëzve që kërkojnë zbatimin e normave statutore, ligjore dhe morale. Këta titullarë ekzekutivë pa dinjitet mbulohen nën emblemën e sindikatave për të dhunuar të ndershmit dhe aq më keq fjalën e lirë. Një gjë e tillë vërtetohet edhe në të ashtuquajturën ndryshime statutore, ku “i pari” i pronave merr përsipër rolin e tutorit për të denigruar dhe larguar cilindo që do të marrë përsipër që të thotë një të vërtetë në mbrojtje të parimeve universale të të drejtave të njeriut.
Aq më keq nën emblemën e sindikalizmit europian dhe botëror (në parantezë dihet tashmë roli i tyre dhe jo toleranca ndaj disa sindikatave shqiptare për problemet e ndodhura në vite me ta), krerët ekzekutivë mjaftohen vetëm të fotografohen në takime e mitingje, megjithëse të rralla në numër, që bëhen sa për të thënë se ne jemi gjallë dhe se ne do ta shpëtojmë punëtorinë, e cila, sipas statistikave, ka humbur besueshmërinë te këto sindikata. Thënë në gjuhën e shifrave, më pak se 10 për qind e punëtorisë mbahet në evidencat e këtyre titullarëve dhe aktet e dhunës së borderosë mbi bashkëpunëtorët janë evidente.
Ka dhe më keq. Për hir të interesit të ngushtë të përfitimit, po lulëzojnë në këtë treg të trazuar “sindikatat e verdha”, të cilat punojnë në dëm të punëtorëve dhe në dobi të “bosëve” të sindikatave. Sindikatat e verdha, të dala jashtë “ligjit” dhe moralit të homologëve europiane dhe botërorë, përfaqësojnë marrjen me dhunë të kuotizacionit nga krerët sindikalistë në bashkëpunim me pronarët dhe që këta të fundit kanë të siguruar mosprekjen e tyre nga protestat dhe nga institucionet e shtetit që merren me marrëdhëniet e punës. Këto janë vërtetuar në disa ndërmarrje publike ku punonjësit paguajnë kuota në tri sindikata për të qenë të garantuar në marrëdhënie me punëdhënësin, gjëra që vërtetohen lehtë pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Z. Berisha, në pozicionin e kreut të qeverisë, e ka shumë të lehtë të investigojë rreth këtij fenomeni dhe besoj se është i ndërgjegjshëm që strukturat vartëse të tij nuk kanë vepruar si duhet. Organet e kontrollit janë mjaftuar vetëm me faktin e të përmendurit të emrit “sindikata” duke pritur që të na gjykojë bota për veprimet tona.
Ky nuk është argument për t’u marrë në konsideratë sepse ata që dhunojnë dhe marrin nëpër këmbë djersën, mundin e baballarëve të tyre, kanë vetëm një klauzolë: të përballen me ashpërsinë e ligjit. Dyfytyrësia në këtë pjesë të shoqërisë civile arrin deri atje sa në marrëdhëniet me punonjësit të shkelen të gjitha normat morale dhe ligjore të shtetit shqiptar. Përpara të huajve, të cilët vijnë dhe ikin pa u informuar ose të dezinformuar mbi realitetin e zymtë të sindikatave, krerët ekzekutivë buzëqeshin dhe ironizojnë progresin, përgatiten për udhëtimin e radhës në botën me sindikata të vërteta e të fuqishme dhe si spektatorë ata përgatisin leksione ireale për t’ua referuar sindikalistëve të mbetur se kush janë, duke përgatitur kultin e pamerituar të individit.
Dalja në skenë e këshillave të punëtorëve mund të vendosë drejtësi, por gabohet teksa mendohet se po dhunohet pushteti i tretë. Nga ana tjetër, ideja për të riformatuar Këshillin Kombëtar të Punës duhet marrë me shumë seriozitet për t’i thënë ndal pjesëmarrjes në këtë këshill të anarkosindikalistëve dhe pseudosindikalistëve, të cilët për 18 vjet vetëm kanë përfituar në kurriz të mijëra e mijëra punëtorëve dhe nuk kanë bërë asnjë oponencë reale mbi qeveritë.
Në këto kushte, pa një oponencë konstruktive nuk mund t’i bashkëngjitemi familjes së madhe europiane. Në një vend ku e drejta e mendimit ndryshe kërcënohet me pagën, nuk pritet të ketë demokraci dhe liri apo mendim ndryshe. Tashmë rolin negativ në këtë situatë po e merr “pushteti i mbetur i tretë” ose e thënë ndryshe sindikatat.
Në fund të mbledhjes së qeverisë, Berisha shprehet se, “duhet të synojmë që t’u japim përparësi atyre organizatave që përballen direkt me qeverinë, me administratën, përsa i përket korrupsionit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e këtyre organizatave dhe rrjetëzimi i tyre. Kjo është mënyra më e sigurt për të shpenzuar një dhe për të fituar pesë në luftën kundër korrupsionit”.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›