Shpronësimet që do të kryhen nga zbatimi i projektit për Unazën e Madhe
Këshilli Ministrave ka përcaktuar çmimin e tokës për shpronësimin e pronarëve, toka e të cilëve ndodhet në Unazën e Re. Sipas vendimit të qeverisë, një metër katror tokë është vlerësuar me 12 335 lekë. Kostoja totale e shpronësimeve është 39 879 055 lekë. Afati i shpronësimit për të gjithë pronarët mund të përfundojë në muajt e parë të 2009-s, ndërsa përcaktimi me vendimin e qeverisë është e përcaktuar më 3 mars. Hartuesit e projektit të Unazës së Re kanë përpiluar listën e objekteve dhe tokës që do të shpronësohet nga ndërtimi i Unazës. Specialistët e kanë përcaktuar dy kategori shpronësimesh; tokë fizike dhe ndërtesat që do prishen nga ndërtimi i rrugës. Në të gjithë këtë zonë të zbatimit të projektit janë dhjetëra qytetarë që kanë ngritur bizneset apo kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Një pjesë e banorëve janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë ata banorë që nuk kanë aktin e pronësisë. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo banesës do të shpronësohen të gjithë.
Mamografia, vizitat janë pezulluar prej dy muajsh
Vizitat që kryhen me anë të Mamografisë janë pezulluar që prej dy muajsh. Të gjitha gratë që e kanë të nevojshme kryerjen e Mamografisë nuk mund ta kryejnë vizitën në spitale. Shkak për këtë situatë është bërë përfundimi i afatit të zbatimit të projektit nga bashkëpunimi mes palës italiane dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo e fundit nuk ka vendosur ende nëse do ta vendosë Mamografinë nën varësinë e Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 në kryeqytet, apo do të ketë ndonjë marrëveshje tjetër. E njëjta situatë është edhe në rrethet ku ndodhet aparatura që bën ekzaminimin e kancerit të gjirit. Puna për kryerjen e vizitave është pezulluar disa herë për shkak të mungesës së filmave që duhen për kryerjen e vizitave, të cilat kanë një kosto të lartë për blerjen. Statistikat e Ministrisë tregojnë se rreth 250 gra në mbarë vendin kanë kapur në kohë sëmundjen e kancerit të gjirit, nga 11 mijë vizita që janë kryer deri tani. Projekti për diagnostikimin e grave nga kanceri i gjirit mendohet se do të bëhet me para. Njëkohësisht, Ministrisë së Shëndetësisë do t’i duhet që të vendosë një tarifë për kryerjen e vizitës, sipas një kostoje që do të duhet edhe për konsumin e materialeve që kërkon Mamografia. Përsa i përket sëmundjes, specialistët sqarojnë se tumoret shkaktohen nga ndryshimi i kushteve të jetesës, ku mungon aktiviteti fizik, mënyra e ushqyerjes, konsumimi i alkoolit i duhanit etj. Numri i ekzaminimeve të kryera është tepër i madh, njëkohësisht edhe kapja e sëmundjes në fazat e para. Në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 qytetaret vinin çdo ditë nga kryeqyteti dhe nga rrethet e tjera të vendit. Mamografia ndodhet në rrethet e Fierit, Durrësit dhe Shkodrës, sipas projektit INTERREG 3.
Spitali Ushtarak, disa barna nuk janë tenderuar
Kryerja e tenderave në Spitalin Ushtarak ka përfunduar prej disa muajsh, por edhe në këtë qendër spitalore kanë ngelur jashtë prokurimit disa barna që janë të domosdoshme për konsum të përditshëm. Mjekët thonë se arsyeja kryesore është se për këto barna nuk është paraqitur asnjë firmë që të hyjë në garë për tenderat. Aktualisht në këtë spital nuk është marrë ende asnjë vendim se si do të veprohet për plotësimin e spitalit me medikamentet që mungojnë. Situata në Spitalin Ushtarak mbetet më e favorshme se në QSUT. Mungesa e medikamenteve gjatë vitit ka qenë më e vogël, ndërsa rezervat për rastet e emergjencave ka qenë e plotë dhe me të gjitha medikamentet rezervë në përballimin e rasteve emergjente. Mungesa në medikamente janë shfaqur edhe në këtë qendër gjatë vitit, por ato kanë qenë më të papërfillshme krahasuar me QSUT-në. Mungesa e medikamenteve në spitale ka qenë problemi më shqetësues për bluzat e bardha dhe pacientët, të cilët këtë vit kanë pasur mungesa të dukshme, por që ende pritet të vazhdojë e njëjta situatë për shkak të mungesës së tenderimit të disa medikamenteve të tjera.
23 Janar 2009