Gjykata lë të lirë katër nga 15 të prangosurit e “Triumfit”
Tiranë - Shumë prej të arrestuarve të operacionit “Triumfi", të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve zyrtare duke favorizuar trafikun e qenieve njerëzore, do të mbahen në paraburgimin e Tiranës deri në përfundim të hetimit të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, e cila me kërkesë të Prokurorisë, caktoi masat e sigurisë së “arrestit me burg” për 11 nga 15 të pandehurit e këtij operacioni. Ndërkohë që 4 të tjerët janë lënë të lirë dhe do të hetohen me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” pranë organeve të rendit.
Operacioni
Këta persona u arrestuan tri ditë më parë në një operacion të gjerë me shtrirje në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Fier. Sipas të dhënave hetimore, të mbledhura nga Prokuroria që nga muaji maj i vitit 2008, të dyshuarit si anëtarë të këtij grupi kanë siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit me shtetin grek të shtetasve shqiptarë duke korruptuar individë të veçantë, duke shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti dhe ambiente strehimi të përkohshme. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, forcat e policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provave materiale dokumente të falsifikuara që implikojnë ata në veprimtarinë kriminale. Të pandehurit e operacionit “Triumfi” janë shtetasit: Alfred Çikani, Luan Klosi, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Korab Lama, Ukë Prengezaj, Ardian Berisha, Përparim Lama, Fatmir Vukaj, Thanas Todhri, Astrit Hasa, Ramiz Shahini, Fatmir Tato, Gurali Bardhi.
Zbulimi
Hetimet kanë nisur tetë muaj më parë në qytetin e Korçës, kur një person ka denoncuar në polici sekserin që i kishte marrë paratë, por më pas nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. E nga ky kallëzim policia ka mundur të zbulojë një nga rrjetet më të mëdha dhe të fuqishme të trafikut klandestin në Shqipëri. Në sitën policore kanë kaluar pronarët e disa lokaleve, moteleve, hoteleve dhe bizneseve të tjera, që dyshohet se nën petkun e shërbimeve publike, kryenin trafik të vizave në bashkëpunim me individë edhe brenda konsullatave të huaja në Shqipëri. Sipas uniformave blu, bërthama e organizatës ishte në Tiranë, ku bëhej pajisja e klandestinëve me dokumente false, ndërsa aktiviteti i saj shtrihej edhe në Elbasan, Lushnjë, Korçë, Fier e Durrës. Sekserë të ndryshëm gjenin klientët dhe më pas kryenin përcjelljen e tyre drejt pikave të kalimit kufitar. Burime zyrtare thanë se operacioni ende nuk ka përfunduar dhe se pritet publikimi i detajeve të tij.
23 Janar 2009