Urdhri i Bejës, në testim mësuesit me kredite, pa “Portofolin profesional”
Jonida Tashi
Mbërrin në drejtoritë arsimore urdhri i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, për testimin e mësuesve për kualifikim. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga shefja e Sektorit të Trajnim-Kualifikimit në Drejtorinë Arsimore Tiranë, Teuta Çobaj. Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, mësuesit që janë vlerësuar me kredite nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), do të marrin pjesë në provim pa qenë nevoja të dorëzojnë pranë drejtorive arsimore “Portofolin e zhvillimit profesional”. Për këtë, shefja e Trajnim-Kualifikimit pranë DAR-it, sqaron: “E reja në procesin e testimit të mësuesve për kualifikim është se të gjithë mësuesit që janë pajisur me një certifikatë nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, në të cilën janë të evidentuar kreditet që ata kanë marrë për punën e bërë, nuk duhet ta dorëzojnë ‘Portofolin profesional’ në drejtori”. Më tej Çobaj bën të ditur se, certifikatën e marrë nga IKT-ja, mësuesit e vlerësuar me kredite duhet ta dorëzojnë pranë drejtorive arsimore përkatëse, në mënyrë që të marrin pjesë në testim. Pas depozitimit në Drejtorinë Arsimore, certifikata e çdo mësuesi do të shqyrtohet nga specialistët përkatës të drejtorive.
Udhëzimi
Udhëzimi “Për organizimin e kualifikimit për punonjësit që kanë vjetërsinë e duhur në arsimin parauniversitar” përcakton që provimet me shkrim në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale të zhvillohen më datë 29 mars 2009. Kualifikimi i punonjësve që kanë vjetërsinë e duhur në arsimin parauniversitar, për vitin 2009 do të bëhet nëpërmjet provimeve dhe “Portofolit personal të zhvillimit profesional”. Në këto provime do të përfshihen punonjësit e sistemit të arsimit publik dhe jopublik: me diplomë mësuesie, me emërim definitiv, me kontratë të përkohshme ose në pritmëri; pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale, në përputhje me profilin, në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune; pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e Edukimit Muzikor ose të Edukimit Figurativ. Çdo kandidat që merr pjesë në kualifikimin 2009 përgatit dhe dorëzon në DAR/ZA portofolin e zhvillimit të tij profesional, i cili shqyrtohet nga IKT-ja për efekt vlerësimi përfundimtar të kandidatit. Portofoli i zhvillimit profesional përmban: Curriculum Vitae (me fotografi); planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe për një klasë të caktuar); objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tri nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar); modele testesh të hartuara prej tij; planifikimin e kurrikulës së lirë (për një lëndë dhe për një klasë të caktuar); vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm).
Kandidatët
Kandidatët që kanë vjetërsinë përkatëse në sistemin arsimor parauniversitar duhet të plotësojnë formularët e aplikimit për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit. Listat përfundimtare të kandidatëve për provimet e kualifikimit, mbi bazën e kritereve të përcaktuara hartohen DAR/ZA. Këto lista duhet të shpallen publikisht dhe të qëndrojnë të afishuara në mjediset e DAR/ZA gjatë periudhës 20-31 janar 2009. DAR/ZA harton listat përfundimtare, të cilat i dërgon në MASH dhe IKT brenda datës 20 shkurt 2009. Pas kësaj date nuk mund të bëhen ndryshime në listën e kandidatëve. Provimet do të realizohen mbi bazën e programeve të kualifikimit, të përgatitura nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), për të gjitha fushat e përcaktuara. Programet do t’u vihen në shërbim kandidatëve brenda periudhës 20-31 janar 2009. Provimi i kualifikimit për të gjithë kandidatët do të zhvillohet me shkrim në të njëjtën datë dhe në të njëjtën orë, në mjediset e DAR-it, të planifikuara në bashkëpunim me IKT-në. Në provimin e kualifikimit kandidatët do të vlerësohen për: zotërimin e programeve lëndore; zotërimin e përmbajtjes shkencore të lëndës shkollore; zotërimin e trajtimit metodik të lëndës.
Testet, specialistët që do të merren me hartimin e tyre
Testet e provimit me shkrim për kualifikimin e mësuesve do të hartohen nga specialistët e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit. Gjithashtu, IKT-ja ka për detyrë dërgimin dhe marrjen e tyre testeve në çdo DAR; hartimin e udhëzimeve për komisionet e provimeve; monitorimin e provimeve; vlerësimin e testeve të kandidatëve. IKT-ja ngarkohet për ngritjen, trajnimin dhe funksionimin e rrjetit të administratorëve. Administratorët do të punojnë në qarkun ku zhvillohet provimi. Mbështetur në rezultatet e provimit dhe të portofolit të zhvillimit profesional, IKT-ja do të pajisë me certifikatë kandidatët fitues. Ndërsa Drejtoria e Menaxhimit të Përditshëm në MASH duhet të përgatisë dhe dërgojë në DAR/ZA shkresën për fillimin e shtesës së pagës për efekt testimi. Kurse punonjësit që kanë kualifikimin “Master” ose gradën “Doktor i shkencave”, ose janë punonjës të MASH-it, IKT-së, AVA-s, AKAFP-së, DAR-it dhe ZA-së me diplomë mësuesie dhe kanë në përshkrimin e tyre të punës përgjegjësi për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe të procesit mësimor do të pajisen me certifikatën e shkallës përkatëse të kualifikimit, pa marrë pjesë në veprimtaritë kualifikuese.
Vjetërsia e punës
Nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit.
Nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë.
Nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të
kualifikimit, të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë.
Rregulla për kandidatët
Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim për shkaqe rastësore ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në provimin e vitit pasardhës.
Kandidatët që janë edukatorë në kopsht do t’i nënshtrohen provimit për të gjitha programet e arsimit parashkollor.
Kandidati që është mësues i arsimit fillor do t’i nënshtrohet provimit për të gjitha programet lëndore të këtij cikli.
Nëse kandidati, mësues në arsimin e mesëm të ulët ose në arsimin e mesëm të lartë, jep më shumë se një lëndë brenda profilit, të përzgjedhë për provimin e kualifikimit njërën prej tyre.
Provimi duhet të mbulojë lëndën e përzgjedhur për të gjitha klasat e ciklit të mesëm të ulët ose të ciklit të mesëm të lartë.
Të gjithë punonjësit mësimorë si më sipër, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe shkallës së kualifikimit do të kualifikohen për shkallën përkatëse më të ulët; duhet të kenë të drejtë që në vitet e ardhshme shkollore të kualifikohen për shkallën që u takon sipas vjetërsisë së arsim.
23 Janar 2009