E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët protestojnë para Ministrisë së Arsimit



Ministria e Arsimit, ditën e djeshme, është “kryqëzuar” nga dy protesta, ajo e studentëve të Gazetarisë dhe atyre të Shkencave Sociale në kryeqytet. Studentët e Gazetarisë i kanë treguar MASH-it se modeli i ri i diplomës së Bolonjës nuk ka asnjë lidhje me simotrat e saj europiane. Studentët deklarojnë se ky dokument cenon studimet 3-vjeçare, duke u mohuar të drejtën e titullit në përfundim të tyre si dhe deklarimin e fakultetit që kanë përfunduar. Po ashtu, të rinjtë analizojnë se, formati i kësaj diplome është plot pasaktësi dhe gabime. Në një krahasim pamor të një diplome të Bolonjës në përfundim të studimeve të nivelit të parë që u lëshohet studentëve europianë dhe modelit të ri që ka hartuar MASH-i, ka ndryshime thelbësore. Diploma europiane nuk përmban as stemën e republikës dhe as atë të Ministrisë së Arsimit, sikundër në diplomën shqiptare. Po ashtu, simotra europiane përcakton edhe fakultetin dhe titullin që merr studenti në përfundim të këtij cikli studimesh. Menjëherë pas mbarimit të protestës së studentëve të Gazetarisë, drejt MASH-it kanë rendur studentët e Shkencave Sociale, të cilët janë treguar edhe më të ashpër në deklaratat e tyre. Këta studentë, kanë kërcënuar drejtuesit e MASH-it, se nuk do të paguajnë tarifën e shkollimit nëse Ministria nuk do t’u sigurojë atyre një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e mësimit. Reagimi i Ministrisë së Arsimit për të dyja këto probleme kanë qenë vetëm heshtja, ndryshe nga deklaratat e menjëhershme që kjo ministri lëshon sapo akuzohet nga Partia Socialiste.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›