Dritëhijet e AKKP-së, drejtorët ikin “natën”, pronat abuzohen gjithë ditën
Habjon Hasani
Tiranë - Që prej gjysmës së dytë të vitit 2005, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kaloi nga varësia e Parlamentit në atë të Ekzekutivit. Përveç ndryshimit të statusit të varësisë, këtij institucioni iu krijua një ligj i posaçëm, që solli dhe strukturimin e agjencive vartëse në çdo rreth. Ligji kaloi me shumë debate të ashpra në vitin 2006, ndërsa si kurrë më parë ky institucion ua kaloi të gjitha institucioneve të tjera nga pikëpamja e kompetencës që zotëronte. Ky institucion ishte i vetmi dhe i pakrahasueshëm me çdo institucion tjetër, pasi mund të “injoronte” dhe t’u vinte kryq vendimeve gjyqësore në lidhje me pronën, elementin bazë dhe më të rëndësishëm të ekonomisë së tregut. Opozita e kundërshtoi fuqishëm në vitin 2006 këtë superkompetencë të AKKP-së, por ky debat i rëndësishëm u venit nën “tingujt” e një beteje tjetër mes politikanëve, beteja për mbikalimin e Zogut të Zi! Ndërsa vëmendja e mediave dhe e opinionit publik ishte përqendruar në të tjera çështje, AKKP-ja nisi pak e nga pak të bënte punët e para nën drejtimin e drejtoreshës së Përgjithshme, Justina Boriçi. Për një moment u duk sikur ky institucion po punonte me shumë seriozitet kur në mes të vitit 2006 u krye arrestimi i disa zyrtarëve të mesëm për abuzimet me pronat në bregdet. Gjithçka u shua në heshtje, pa shumë bujë, vetëm gjashtë muaj më vonë. AKKP-ja sakaq vazhdonte të shtonte numrin e të “pakënaqurve” që gjatë gjithë vitit 2006 bënin letra dhe ankesa në numrin personal të kryeministrit ose në zyrën qeveritare antikorrupsion për vendimet arbitrare të AKKP-së.
Çuditë
Fillimviti 2007 do të shënonte ndërrimin e drejtoreshës Justina Boriçi dhe zëvendësimin e saj me Besnik Mahon. Ky ishte një ndërrim që u kalua pa shumë vëmendje, pasi u shoqërua me të tjera zëvendësime që po kryheshin në Tatime dhe në disa drejtori të tjera të rëndësishme shtetërore. Ardhja e Mahos thuajse nuk e ndryshoi fare pamjen e çorganizuar të këtij institucioni, ndërsa përditë e më shumë qytetarët po trokisnin me vendime gjyqësore në dorë në dyert e mediave, pasi kishin ezauruar pa sukses përpjekjet e tyre për të sensibilizuar krerët e AKKP-së dhe kryeministrin për padrejtësitë arbitrare që po pësonin. Qindra qytetarë, pronarë tokash, e panë veten keq kur punonjësit e AKKP-së u thoshin se nuk kishin asnjë detyrim të merrnin për bazë vendimet gjyqësore. Kjo ishte një shkelje arbitrare e amplifikuar dhe e mbështetur përditë e më shumë prej kryeministrit, i cili nuk harronte që herë pas here në mbledhjet e grupit të tij parlamentar të “dënonte” vendimet korruptive që shumë gjyqtarë kishin dhënë për pronat! E gjithë maxhoranca luante këtë “simfoni”, ndërsa përjashtim bëri Bamir Topi, i cili në disa raste tërhoqi publikisht vëmendjen që të bëhej kujdes me pronat. Këto reagime të Topit u kryen pasi dhjetëra pronarë i trokitnin atij duke i qarë hallet për shkeljet flagrante që kishin pësuar nga institucioni i AKKP-së.
Ndërrimi
Në vitin 2008 erdhi dhe shkarkimi i drejtorit Besnik Maho. Fill pas këtij shkarkimi në qytetin e Vlorës u kryen tre arrestime, ku një prej të arrestuarve ishte Genci Panozaqi, kreu i AKKP-së së qytetit dhe i afërm i njërit prej njerëzve më besnikë të pushtetit të Berishës. Ky arrestim dhe fillimi i procedimit penal shtoi vëmendjen e mediave, ndërsa çdo ditë e më tepër filluan të dilnin të dhëna që flisnin për qindra hektarë tokë që ishin abuzuar në mënyrën më arbitrare të mundshme. Prokuroria e Vlorës kaloi për hetim dhe Besnik Mahon, i cili vetëm tri javë para se të shkarkohej i kishte dorëzuar dorëheqjen Berishës, ndërsa ky i fundit i kishte shprehur mbështetjen e tij më të plotë. Ndonëse u largua në një moment kur abuzimi me pronat ishte kthyer në “virozë”, publikisht shkarkimi i Mahos u justifikua me “mosmarrëveshjet” mes tij dhe ministrit të sapoemëruar të Drejtësisë, Alibeaj. Ky i fundit i kishte paraqitur Berishës dhe një raport për disa shkelje administrative të AKKP-së, që më shumë se të tregonte vjedhjen e ndonjë prone, raporti fliste për disa kërkesa me shkrim që AKKP-ja nuk i kishte lexuar. Nga ky raport u konstatuan shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që i jepnin përgjegjësi të drejtpërdrejtë drejtorit të AKKP-së. Në mënyrë të përmbledhur, në këtë raport të kontrollit, të miratuar nga ministri i Alibeaj, thuhet se një ndër arsyet e forta ishte shkelja e të drejtave të të interesuarve përmes mungesës së përgjigjeve në rreth 270 kërkesa drejtuar AKKP-së. Por as për këto shkelje të pretenduara Maho nuk dha ndonjëherë llogari, por u harrua në heshtje, ndërsa pasuesi i radhës ishte Tunxh Vatnikaj, i shkarkuar dy ditë më parë dhe paralelisht i hetuar nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me abuzimin më spektakolar që mund të jetë bërë me pronat në Shqipëri, ku janë konstatuar tjetërsimi dhe abuzimi me qindra hektarë tokë shtetërore në disa baza ushtarake të vendit!
Tunxh Vatnikaj u thirr në Prokurori për dosjen “Gjiri i gjeneralit”
Kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka qenë objekt i hetimit të dosjes “Gjiri i gjeneralit” që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Madje ai është thirrur dhe është pyetur nga prokurorët e çështjes. Bashkë me Vatnikajn u thirrën dhe u pyetën dhe disa vartës të tij, që kishin firmosur shkresat antiligjore, të cilët mësohet se kanë nënshkruar këto dokumente “me urdhër nga lart”. Pak javë më vonë të gjithë punonjësit e pyetur ishin shkarkuar nga detyra. Puna e institucionit të AKKP-së ka qenë më shumë se kurrë në vëmendjen e organit të akuzës këto muajt e fundit. Prej tre muajsh gazeta “Albania” ka informuar lidhur me hetimet që po kryen Prokuroria e Tiranës për disa dosje të abuzimit me pronat që përfshijnë sipërfaqe shumë të mëdha, ndërsa shkeljet dhe abuzimet kanë arritur deri në falsifikimet më arbitrare të dokumenteve zyrtare. Dosja më e nxehtë aktualisht është dosja “Gjiri i gjeneralit”, ku bëhet fjalë për më shumë se 500 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar i ka kaluar një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente të dyshuara si false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, ndërsa dosja është në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi, ndërsa dijeni të plotë mbi këtë dosje të rëndësishme ka dhe Prokuroria e Përgjithshme. Kjo dosje implikon zyrtarë të AKKP-së si dhe disa biznesmenë dhe juristë që lidhen me këtë histori.
Bazat shtetërore ushtarake, AKKP-ja ”i dhuroi” abuzivisht
Gjatë vitit të fundit Prokuroria ka hetuar intensivisht procesin e tjetërsimit të disa pronave shtetërore që më parë kanë qenë baza ushtarake. Prokurorët e Task Forcës në Tiranë kanë sekuestruar të dhënat për falsifikimet me trojet shtetërore-ushtarake pranë Gjadrit dhe Shëngjinit. Kësisoj, edhe këto dy raste janë bërë pjesë e “grupit të abuzimeve” që po hetohen intensivisht nga Prokuroria përsa i takon falsifikimit të qindra hektarëve troje shtetërore dhe kalimit të tyre në pronësi private. Prokurorët aktualisht janë njohur vetëm me aktet e personave që kanë pretenduar se janë pronarë të këtyre terreneve ushtarake (dyshohet se e pretendojnë me dokumente të falsifikuara), si dhe disa juristëve dhe zyrave avokatore që i kanë mbështetur dhe asistuar këta “pronarë” gjatë procedurave që ata kanë zhvilluar për të kaluar në emrin e tyre këto sipërfaqe. “Duket si një aksion i mirorganizuar, pasi dhe AKKP-ja nuk është menduar fare lidhur me këto dokumente dhe ua ka kaluar menjëherë në pronësi. Kjo është shumë e çuditshme. Madje, në disa raste, institucioni i AKKP-së na rezulton se nuk ka kryer as verifikimet minimale mbi këto pretendime”, - i tha pak kohë më parë “Albania”-s një burim i organit të akuzës.
23 Janar 2009