E Diel, 1 Nëntor 2026

Motori gjendet në një tunel pallati

Policia Rezulton i vjedhur pak ditë më parë, por dyshohet se autorët janë banorë të lagjes

Një motor i dyshuar si ai i përdorur nga dy grabitësit e djeshëm të bankës është gjetur pak metra më larg vendit ku ndodhi ngjarja. Pikërisht në lagjen mes Rrugës së Kavajës dhe rrugës “Myslym Shyri”, në një tunel të një pallati të ri, është gjetur i braktisur një motor i tipit “Honda”, 100 kubikësh, ngjyrë gri pa targa. Ai ishte parkuar brenda tunelit dhe banorët e kanë pikasur fillimisht duke njoftuar oficerin e policisë së lagjes, i cili më pas ka raportuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas të dhënave, rreth orës 13:45, disa banorë kanë pikasur motorin dhe shërbimet e Komisariatit nr. 2 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Pas tyre, ekspertët e kriminalistikës janë dërguar aty për të gjetur sa më shumë gjurmë në këtë motor, të cilat do të krahasohen me ato të gjetur në bankë. Policia ka pyetur banorët e lagjes në lidhje me këtë motor, por askush nuk ka dalë si pronar i tij. Mbi këto të dhëna, grupi hetimor dyshon se ai është i vjedhur dhe që mund të jetë përdorur në grabitjen e djeshme. Pas realizimit të saj, mendohet se autorët e kanë braktisur dhe janë larguar në këmbë nëpërmjet rrugicave të lagjes. Gjatë asaj kohe, ata kërkoheshin nga policia me gjithë motor, kështu që në këmbë kanë mundur të arratisen lehtë, duke kaluar edhe përbri punonjësve të policisë. Gjithashtu, policia po heton se kujt i është vjedhur ky motor, me qëllim kthimin e tij pronarit, por edhe nëse nuk është përdorur në grabitje, po punon për gjetjen e autorëve të vjedhjes së motorit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›