E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër grabitjet e tjera për vitin 2010

Precedentët

17 shkurt 2010
Grabitja e parë e bankës për këtë vit, por edhe më e rëndësishme për shkak të shumës së madhe të parave të vjedhura ka ndodhur më 17 shkurt. Në orën 8:34 të asaj dite, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, është vjedhur filiali i Bankës Kombëtare Tregtare. Grabitësit, të cilët dyshohen se kanë vjedhur mbi 200 mijë euro, ende nuk janë gjetur, pavarësisht se në atë kohë, policia dyshoi edhe mbi një roje private për bashkëpunim. Madje, për gjetjen e autorëve të vjedhjes, policia vuri në dispozicion 10 mijë USD për këdo që kishte informacion mbi të dyshuarit e vjedhjes.

18 mars 2010
Po kaq e rëndësishme ishte një tjetër grabitje banke e ndodhur më 18 mars të këtij viti, e cila u kthye në një pengmarrje publike. Bëhet fjalë për Romeo Lekën, 25-vjeçari nga Lezha, i cili akuzohet për grabitjen e 30 milionë lekëve të vjetra në filialin e një banke te hotel “Rogner”, pas kërcënimit me armë që ishte bosh të sportelistes. Sipas hetimeve, Leka ka dalë nga banka, por i është çarë qesja, ku ka kërkuar një qese të dytë të zezë. Pasi ka dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vërejtur se ishte duke u ndjekur nga policia. Leka i është drejtuar zonës së “Librit Universitar”, ku nën kërcënimin e një arme ka marrë peng studenten e Juridikut, Lori Latellarin. Për 35 minuta, Leka i ka bërë shantazhe policisë, duke kërkuar edhe një automjet për t’u larguar, por më pas është arrestuar

6 maj 2010
Në këtë datë ka ndodhur grabitja e tretë e bankave, po në Tiranë. Dy persona të pamaskuar kanë grabitur në harkun e dy minutave një filial banke në autostradën Tiranë-Durrës. Ora shënonte 10.30 kur të armatosur hynë në bankë, duke neutralizuar edhe rojet e sigurisë dhe mundën të marrin jo vetëm paratë që gjendeshin në arkë, por edhe ato që kishin me vete klientët, të cilët u ndodhën aty në momentin e grabitjes. Sipas policisë, shuma e grabitur shkon në rreth 350 mijë lekë

2 korrik 2010
Në fillim të korrikut, një person i armatosur ka grabitur një filial të bankës NBG që ndodhet në autostradë. Burime policore thanë se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:00. Nën kërcënimin e armës, ai ka detyruar punonjësen e policisë që t’i japë shumën e parave prej 50 mijë lekësh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›