Pedofilia, mbërrin në gjykatë dosja e mjekut Guy Eshelman
Listës së të pandehurve të akuzuar për pedofili i shtohet edhe një tjetër britanik, Guy Eshelman. Drejtuesi i klinikës ABC është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës dhe pritet që në ditët në vazhdim të gjykohet nga gjyqtari Martin Deda për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Hetimet për këtë shtetas nisën menjëherë pas dëshmisë së dhënë prej tij para togave të zeza, ku pohoi se prej kohësh ishte në dijeni të abuzimit seksual me të miturit. Por, ajo që e detyroi prokurorinë të niste hetimet për këtë shtetas kanë qenë edhe disa raporte të dyshimta të nxjerra nga ky doktor, ku fëmijët përshkruheshin pa probleme në një kohë që të miturit rezultonin të abuzuar. Gjithashtu, po gjatë këtij procesi, ku për 3 orë dëshmoi mjeku anglez, doli në dritë një raport impotence për Xhon David Braun, i cili ishte firmosur nga klinika, pavarësisht se ekzaminimet e bëra nga ekspertët mjeko-ligjorë nuk flisnin për një gjë të tillë. Klinika ABC gjendet fare pranë ndërtesës, ku të miturit strehoheshin në qendrën “Fëmijët e tij”, që prej skandalit të bërë publik dhe që tronditi jo vetëm Tiranën, por edhe shtetin britanik. Administratori i kësaj qendre, Xhon David Braun, u dënua pak muaj më parë me 20 vjet burg dhe u shpall person i padëshiruar në Shqipëri, ndërkohë që një tjetër trup gjykues është duke gjykuar dy të akuzuarit e tjerë për pedofili, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, të ekstraduar nga Londra për të njëjtin skandal. Sipas burimeve nga gjykata, gjyqi i Guy Eshelman do të nisë këto ditë, i veçuar nga të pandehurit e mëparshëm.
Dëshmia
“Përveç problemeve shëndetësore, në klinikën tonë janë sjellë edhe fëmijë që shfaqnin probleme me sjelljen dhe probleme fizike të shkaktuara nga abuzimi seksual”, - ka deklaruar Eshelman këtë herë, ndryshe nga çka deklaruar në dëshminë e parë. Sipas mjekut anglez, gjithsej kanë qenë 12 fëmijë, tek të cilët ishin konstatuar abuzime seksuale. Gjithsesi, ai ka marrë në mbrojtje britanikun 51-vjeçar, duke deklaruar se ai sillej mirë me fëmijët, të cilët i vishte, i ushqente dhe kujdesej për ta. Po ashtu, mjeku Eshelman ka thënë përpara togave të zeza se edhe fëmijët e ekzaminuar në këtë klinikë ishin sjellë aty pas kontakteve që Braun kishte pasur me stafin e klinikës. Madje, ky i fundit i kishte çuar vetë fëmijët për kontroll mjekësor. Gjithashtu, ai është shprehur se edhe pse e dinte për abuzimet, ka refuzuar të kontaktojë me organet policore shqiptare për të denoncuar abuzimet. Ai ka treguar se e kishte njohur David Braun në vitin 2001, kohë në të cilën Braun ishte bërë pacient i klinikës ABC, për shkak të disa problemeve personale. Në vijim të fjalës së tij, mjeku anglez ka treguar procesin e vizitave mjekësore që u bëheshin fëmijëve. Prokuroria ka kundërshtuar dëshminë dhe raportin e klinikës për impotencën e Braun. Sipas akuzës, referuar ekzaminimeve të kryera nga mjekët shqiptarë, i pandehuri vuan nga sëmundja e fimozës (sëmundje që vështirëson kryerjen e marrëdhënieve seksuale), e cila gjithsesi nuk e pengon atë të kryejë marrëdhënie seksuale apo homoseksuale.