E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër korrupsionit bashkon Topin me Topallin



Krerët e shtetit kërkojnë forcim të luftës kundër korrupsionit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaruan dje se institucionet duhet të shtojnë kontrollin e tyre ndaj zyrtarëve. Në takimin e organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Presidenti tha se duhen gjetur forma të reja për luftën kundër korrupsionit. “Unë besoj dhe ju uroj që ky takim të jetë një hap i rëndësishëm më tej, në përpjekjet tona të përbashkëta për të konsoliduar bashkëpunimin dhe për të gjetur forma të reja të tij, në luftë kundër korrupsionit”, tha Topi. Sipas kreut të shtetit, “qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri te Presidenti. Por, është akoma më e rëndësishme, distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban”. Topi tha se zyrtarët zgjidhen në emër të qytetarëve, bëjnë karrierë me besimin e tyre, mandatohen për t’u shërbyer atyre dhe duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të përballen me kritikat dhe ankesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Topalli vlerësoi se pastërtia e çdo politikani duhet të jetë sfidë e të gjithëve. “Sigurisht që në çdo betejë dhe sfidë, me të cilat përballet Shqipëria, rajoni, Evropa e kontinentet e tjera, integriteti i gjyqtarëve, reformimi i sistemit gjyqësor, figura e pastër e politikanit e komunarit, e kryetarit të Bashkisë, e parlamentarit, mbeten ende sfida të rëndësishme”, tha Topalli, e cila shtoi se Kuvendi është i gatshëm të forcojë legjislacionin. Ajo tha më tej se “kjo konferencë bëhet sot në Tiranë në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Shqipërinë, kur Shqipëria për pak muaj pret të marrë lajmin që shqiptarët presin; liberalizimin e vizave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›