Topi: Gjyqtarët e rinj, jo politikë
ADI SHKEMBI
Kandidaturat për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë nuk do të jenë të profilit politik. Këtë e bëri të ditur dje Presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi me grupin e juristëve, të cilët do të shqyrtojnë emrat që do të dërgohen në Parlament për t'u votuar. Zyra e shtypit e kreut të Shtetit bëri të ditur se pasi Topi vlerësoi kontributin e juristëve në këtë proces, theksoi se përzgjedhja e tetë gjyqtarëve në dy gjykatat më të rëndësishme të vendit është shumë i rëndësishëm dhe aspak formal. Sipas tij, ky është një proces transparent dhe i shtrirë në kohë. Kryetari i shtetit përsëriti vendosmërinë për përzgjedhjen e kandidaturave më të spikatura profesionalisht. "Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për t'i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht, pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje do bazohen në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti profesional", tha Topi. Sipas tij, "procesi do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër, për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës. Dëshiroj të falënderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë proces, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare". Nga ana tjetër, ekspertët ligjorë vlerësuar ecurinë dhe transparencën e këtij procesi, për përmirësimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur gjithashtu se, në takimin e ditës së djeshme ishin të pranishëm përfaqësues të Misionit "EURALIUS" të Bashkimit Evropian, të Pranisë së OSBE-së e të programit "OPDAT", pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Maxhoranca ka vlerësuar hapat që po ndjek kreu i shtetit për përzgjedhjen e gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe 2 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi tha disa ditë më parë në një komunikim me mediat se "ne jemi plotësisht dakord, që kreu i shtetit të bëjë përzgjedhjen e këtyre kandidaturave, përmes një procesi sa më transparent, por ndërkohë nuk mund të mos themi që kemi prirje për të mos votuar asnjë kandidaturë politike, përs a kohë që nuk kemi bërë asnjë propozim dhe as nuk do bëjmë, si për kryetarin e Gjykatës së Lartë, ashtu edhe për atë të Kushtetueses". Nga ana tjetër, opozita pasi ka kërkuar që të kihet kujdes në përzgjedhjen e emrave, ka propozuar që 8 gjyqtarët e rinj të votohen me 84 vota, çka kërkon në Parlament edhe pjesëmarrjen e deputetëve të saj. "Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv, që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv, për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidencialë nga Kuvendi, me një shumicë të cilësuar", u shpreh Xhafaj. Por ky propozim i PS-së është hedhur poshtë nga disa deputetë demokratë, anëtarë të komisionit të ligjeve. Eduard Halimi theksoi për mediat se "ne jemi absolutisht të vendosur për të zbatuar çdo germë të ligjit dhe Kushtetutës në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. çdo propozim që përpiqet të deformojë këto kritere kushtetuese përzgjedhjeje, nuk mund të pranohet nga maxhoranca". Kushtetuta parashikon votimin e dekretit të Presidentit me shumicë votash, pa qenë nevoja për të arritur numrin 84.
Topi: Media është pushteti i katërt
Presidenti Topi vlerësoi dje në ditën ndërkombëtare të medias rolin dhe kontributin e gazetarëve. Gjatë një pritje me përfaqësuesit e mediave, kreu i shtetit u shpreh se "tashmë përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt. Sigurisht një pushtet jo i zgjedhur, por si i tillë nga marrëdhënia që ai ka me të vërtetën. E vërteta duhet të jetë kufizimi i vetëm i lirisë së medias dhe të gazetarëve, si dhe pika e tyre e arritjes. Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t'ia shpërfytyrojnë natyrën". Sipas kreut të shtetit, aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave, për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme.