OSBE: Presion mbi median nga politika
OSBE vlerëson se në Shqipëri ka nevojë të përmirësohet situata e lirisë së medias, për shkak të presionit politik. Kjo organizatë zhvilloi dje një tryezë të rrumbullakët për lirinë e medias, me rastin e 3 majit, ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias. Sipas drejtuesve të OSBE-së, vetë aktorët e medias pranojnë se ka një presion nga politika dhe interesat ekonomike në punën e tyre. "Sot u përmend që ka interesa në fusha të ndryshme të politikës me median dhe këto interesa politike pengojnë punën e pavarur të gazetarëve. U diskutua se ka shumë presion që ushtrohet ndaj gazetarëve dhe medias, qoftë nga politika dhe biznesi, dhe ky është një problem për shtypin. Ka nevojë të zhvillohet dhe përmirësohet situata dhe liria e medias, sepse kjo liri është një faktor kritik për të pasur qëndrueshmëri në Shqipëri", u shpreh Shefi i Departamentit të Demokratizimit, në OSBE, Hartmut Purner.