E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një vdes, tre plagosen



Dy kalimtarë, njëri prej të cilëve i mitur, u aksidentuan në dy aksidente të ndryshme në akset rrugore kombëtare. Aksidenti i parë ndodhi mbrëmë, në hyrje të qytetit të Durrësit. Një automjet “Fiat Punto” me targë BOT 04651, i drejtuar nga 30-vjeçari Agim Gjeta, aksidentoi rëndë kalimtaren Lume C, 26 vjeçe. Drejtuesi i automjetit u shoqërua për në komisariatin e policisë për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa 26-vjeçarja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit, ku mbrëmë ndërroi jetë 38-vjeçarja Nasibe Kulla, e cila pesë javë më parë u dëmtua në një aksident me makinë.
Në Elbasan, rreth orës 21:30, në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, një mjet tip “Benz” me targë DR 8341 E, aksidentoi 12-vjeçarin E. M. teksa ishte duke ecur. Drejtuesi i mjetit, Petraq Sharra, u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap nga shërbimet e policisë së Pogradecit. 12-vjeçari ndodhet në Spitalin e Librazhdit, nën kujdesin e mjekëve.
Në një aksident tjetër të ndodhur në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor Cërrik- Belsh, mjeti “Toyota” me targë ZZ 0.2578, që drejtohej nga Ilir Senja, u përplas me një motoçikletë tip “Dajang” pa targa, që drejtohej nga J. V., 16 vjeç. Si pasojë e përplasjes 16-vjeçari u dëmtua rëndë, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rrethanat e aksidentit.

Patos

Banorët bllokojnë punimet në pusin e naftës

Dhjetëra banorë të Zharrëzës dhe Patosit dolën dje në një protestë duke bllokuar punimet në një pus nafte. Shkak, sipas tyre, u bënë lëkundjet e forta të tokës, që janë shkaktuar nga shpërthimet e kryera nga kompania “Benkers”. Si pasojë ata kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre. Të frikësuar banorët janë shprehur se lëvizjet e forta të tokës në zonën ku ata banojnë janë ndjerë gjatë gjithë kësaj periudhe. Banorët kërkojnë dëmshpërblim për dëmtimet e shkaktuara. Në vendngjarje ka shkuar edhe krerët vendorë të Patosit dhe Zharrëzës, të cilët janë shprehur se në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe specialistë të kompanisë do të kërkohet hetim për ngjarjen.

Korçë

Varfëria, braktis fëmijët dhe largohet për në Greqi

Kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që një 34-vjeçare nga qyteti i Korçës të braktisë dy fëmijët e saj dhe të arratiset për në Greqi. Blerina Guri (Bradvica) është larguar nga shtëpia e saj duke lënë në mëshirë të fatit dy fëmijët e saj të moshës 10 dhe 12 vjeç, të cilët tani gjenden nën kujdesin e forcave të policisë së qytetit të Korçës. 34-vjeçarja nuk është menduar shumë për fatin e dy fëmijëve të mitur dhe ka zgjedhur rrugën e emigrimit për të zgjidhur problemet ekonomike të saj. Ka qenë ky shkaku i cili e ka detyruar atë të marrë arratinë dhe të braktisë fëmijët e saj duke i lënë të vetëm dhe pa kujdes familjar.

Korçë

I gjenden mbi 200 rrënjë Cannabis, arrestohet poseduesi

Forcat e policisë së Korçës kanë vënë në pranga 38-vjeçarin Besim Qose, lindur në fshatin Goskovë dhe banues në qytetin e Korçës. Burime policore i thanë gazetës “Albania” se arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Mulliri i Hajdinit” në afërsi të fshatit Krushovë me 221 rrënjë të mbjella, që u ngjanin atyre të bimës narkotike Cannabis sattiva. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, ndërsa materialet për hetime të mëtejshme do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.

Lezhë

Pranga dy personave, akuzohen për vjedhje makinash

Dy persona ranë në prangat e policisë pas operacionit të koduar “Rruga e Veriut”, pasi dyshohet se janë autorë të vjedhjeve të makinave. Sipas të dhënave policore, personat e prangosur në kuadrin e këtij personi janë Arjan Hasa, 25 vjeç, banues në fshatin Dobraç të Shkodrës dhe Artur Gjikola, 31 vjeç, banues në Laç të Kurbinit. Këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjet e një makine benz në qytetin e Rrëshenit me targa italiane; po aty edhe një makinë tjetër me targa MR 2131 A, sikundër dyshohet të jenë edhe autorë të vjedhjes së automjetit tip benz me targa MR 0035 A në Mirditë.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›