Specialistët: Përdorimi i llambave fluoreshente ul me 20% konsumin e energjisë
Përdorimi i llambave fluoreshente ose të njohura me emrin "llamba ekonomike" ul konsumin deri në 20 % në vit të energjisë elektrike. Eksperti për mjedisin, Romeo Hanxhari, ka shpjeguar efektet në ekonomi dhe mjedis të zbatimit të direktivës së Bashkimit Evropian, sipas së cilës, duke filluar nga data 1 shtator 2009 ndalohet përdorimi i llambave inkandeshente në të gjitha mjediset private apo publike, duke u zëvendësuar me llambat fluoreshente. Hanxhari shpjegoi se përdorimi i llambave fluoreshente shtrin efektet në mjedis, pasi përdorimi i tyre ul edhe nivelin e çlirimit të dioksidit të karbonit në mjedis. Përdorimi i këtyre llambave, ka edhe elementin e fortë ekonomik, që është kursimi i energjisë që shtrin efektet jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në atë të çdo konsumatori, qoftë familjar apo biznes. "Përllogaritjet tregojnë se mund të kursehet nga 60-80 euro çdo vit në faturën e një familjari",- tha Hanxhari, duke shtuar se, "në ekonominë e BE-së përfitimi në nivel kursimi të energjisë përllogaritet nga 15-20 miliardë euro dhe kësaj i shtohet edhe niveli i dioksidit të karbonit që kursehet nga ulja e konsumit të energjisë". Nga përllogaritjet e ekspertëve, në konsumin e tre ditëve të një llambe fluoreshente mesatarisht kursehet çlirimi i një kilogrami dioksid karboni. "Vetëm me zëvendësimin e një llambe të zakonshme inkandeshente me një fluoreshente, një familje kursen çlirimin e 100 kg dioksid karboni në një vit dhe nëse një familje zëvendëson 10 të tilla, ajo arrin të kursejë çlirimin e një toni dioksid karboni në mjedis". KESH-i, ka përllogaritur se, nëse të gjitha familjet shqiptare do të zëvendësonin llambat klasike me ato fluoreshente konsumi aktual i energjisë elektrike do të ulej me 10 deri në 20 %, që do të thotë kursim të milionave eurove nga importi apo nga prodhimi vendas i energjisë.
7 Shtator 2009