E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e të Verbërve, padi në gjykatë biznesmenit që ushtroi dhunë

Rikthehet ngjarja e para 3 muajve që ndodhi përpara Kryeministrisë. Të verbrit pretendojnë se janë fyer, dosja në duart e togave të zeza

Laureta Rryçi

Tiranë - Shoqata e të Verbërve vendos të padisë për fyerje biznesmenin që ushtroi dhunë mbi ta rreth tre muaj më parë. Ngjarja që ndodhi më 22 maj të këtij vitit përpara Kryeministrisë tashmë do të marrë një gjykim nga togat e zeza. Shoqata ka depozituar padinë civile me objekt padie për fyerje ndaj kësaj kategorie. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës shpjeguan dje për gazetën “Albania” se padia është depozituar të premten dhe shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Ilir Çeliku për ta gjykuar atë. Pas kësaj padie biznesmenit Pëllumb Borshi i duhet të përgjigjet në gjykatë për veprimin e kryer tashmë të dokumentuar në disa nga kamerat e televizioneve.
Protesta
Në datën 22 maj, ashtu siç kishin paralajmëruar edhe më parë, të verbrit bllokuan derën e Kryeministrisë në shenjë proteste për moszgjidhjen e kërkesave të tyre. Në orët e para të mëngjesit, 100 të verbër, të lidhur me litar, kishin bllokuar derën nga ku do të hynte kryeministri i vendit, Sali Berisha. Të verbrit kërkonin për të disatën herë plotësimin e kushteve të tyre ekonomike, si dhe fletë votimi të posaçme sipas sistemit “Brail” për të votuar. Por, teksa qëndronin të lidhur, biznesmeni 47-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj disa të verbërve. Ndërsa ngjarja mori jehonë në shumë ekrane televizive, biznesmeni u shoqërua për disa orë nga policia dhe më pas u la i lirë.
Reagimet
Për ngjarjen pati shumë reagime si nga organizma shqiptarë për të drejtat e njeriut, ashtu dhe nga drejtues të opozitës. Të gjithë dënuan aktin e rëndë dhe i kërkuan që të merreshin masa edhe ndaj punonjësve të Gardës, që ishin prezent dhe nuk ndërhynë që ky incident të mos ndodhte. Kryetari i Shoqatës, Sinan Tafaj, deklaroi se kishte ndër mend të bënte kallëzim penal ndaj këtij personi për dhunën e ushtruar, si dhe ndaj dy ministrave të Punës dhe Çështjeve Sociale për shumë abuzime që kishin bërë ndaj tyre. Biznesmeni reagoi duke kërkuar ndjesë për veprimin që kishte bërë dhe për tre muaj historia nuk u përmend më. Ndërsa dy ditë më parë, çështja është rishfaqur sërish duke ndërmarrë një rrugë ligjore. Kësaj here i takon Drejtësisë të vendosë se a kanë të drejtë të verbrit që të ndihen të fyer për ngjarjen e 22 majit para Kryeministrisë.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›