E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kërkon para, bizneset vazhdojnë “luftën” me Tatimet



Ervin KOÇI

Problemet e shfaqura ditët e fundit mes Administratës Tatimore dhe bizneseve të mëdha, kanë kohë që kanë nisur dhe tani vetëm sa ashpërsimi i klimës ka arritur kulmin. "Shtrëngimi në darë" i biznesit nga Tatimet filloi që në mars të vitit 2007, kur qeveria shqiptare vendosi të bënte një ndryshim në nenin 43 të procedurave tatimore, në bazë të të cilit bizneset ishin të detyruar të paguanin paraprakisht çdo gjobë dhe interes, para se të kishin të drejtën të ankoheshin. Kjo pikë bëri që vetë ligji të hyjë në historinë e biznesit shqiptar si "ligji i gjobave" dhe ka ndezur konfliktin më të madh në histori mes qeverisë dhe biznesit. Pavarësisht kundërshtimeve të shumta të biznesit (të gjitha shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupimeve të ndryshme të biznesit u shprehën publikisht kundër propozimit të qeverisë), i vetmi lëshim që u bë nga maxhoranca në parlament ishte ulja e përqindjes së gjobës së parapaguar, nga 25 në 15 për qind, në 17 prill 2007. Për vetë biznesin, një njohje e kauzës së tij të drejtë erdhi në nëntor 2007, kur një raporti i Bashkimit Evropian e kritikoi ashpër këtë ligj, duke konstatuar se ai është në kundërshtim me legjislacionin evropian, sjell penalizim të padrejtë të biznesit dhe lejon arbitraritetin e administratës tatimore ndaj tij.

Konfliktet

Vetëm pak ditë më parë mes bizneseve dhe Tatimeve u rindezën sërish konfliktet ku shkak u bë një listë e disa kompanive të cilat sipas Administratës Tatimore kishin probleme në pagesat e detyrimeve. Për këtë qëllim Tatimet patën dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për shpallje si të falimentuara të 27 kompanive. Por ndryshe nga ditët e para dje Administrata tatimore vendosi të tërheqë kërkesën për shpalljen si të falimentuara të disa kompanive të rëndësishme, pavarësisht se ata (Tatimet) dhe Ministria e Financave po përpiqen që publikisht ta mbyllin “me nder” këtë konflikt. Lajmi bëhet i ditur nga burime nga administrata tatimore. "Zyrat avokatore të disa kompanive erdhën dhe i shpjeguan tatimorëve kontekstin ligjor të falimentit dhe pas kësaj, tatimet vendosën të tërhiqen",- tha një zyrtar. Një pjesë e kompanive në listë nuk kanë kryer aktivitet prej vitesh dhe kërkesa për faliment mund të shërbejë vetëm për pastrimin e arkivave të shtetit nga kompanitë që nuk ekzistojnë më. Ligji për Falimentin, thotë se një procedurë falimenti niset kur një debitor kërkon paratë e veta dhe një kompani kreditore nuk është në gjendje të shlyejë detyrimet e veta, gjë që nuk vlen për asnjë prej dy kompanive të mësipërme.

Kontradiktat ligjore

Zyrtarët tatimorë thonë se kanë vepruar në bazë të nenit 144 të ligjit për procedurat tatimore, ku sanksionohet se tatimet kanë të drejtë të kërkojnë falimentin e një kompanie nëse kjo e fundit paraqet bilanc me humbje për më shumë se tre vjet. Ministria e Financave, e cila doli tre ditë më parë në mbrojtje të imazhit të tatimorëve, tha mes të tjerash se procedura e falimentimit bazohet në ligjin për falimentin dhe jo në ligjin për procedurat tatimore. "Nisja e procedurës së falimentimit bëhet paralelisht me zbatimin e dispozitave të ligjit për falimentin, i cili parashikon edhe verifikimin e gjendjes së paaftësisë paguese, si parakusht dhe shkak për hartimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentimit",- deklaroi Ministria e Financave, ndërkohë që këmbënguli se tatimet patën vepruar në përputhje me ligjin. Ndërkohë Shoqata e Ndërtuesve deklaroi dy ditë më parë se procedurat e falimentimit të mos nisin për sa kohë që një kompani nuk është debitore apo nuk është në kushtet e paaftësisë paguese. Nuk ka të dhëna që të tregojnë se tatimet i kanë hyrë ndonjë analize rast pas rasti për kompanitë e dërguara në procedurë falimenti, por mbetet fakti se tatimet "janë bindur" nga argumentet ligjore të dhëna nga kompanitë dhe zyrat e tyre avokatore.

Ndryshimet ligjore

Qeveria miratoi disa ndryshime ligjore në ligjin për falimentin vitin e kaluar pas debateve të shumta me grupet e biznesit. Ndryshimet ligjore konsistonin në lehtësimin dhe shkurtimin e procedurave që çojnë drejt shpalljes së falimentit për një kompani, si dhe marrjes nën kontroll dhe likuidimit të aseteve të kompanisë së falimentuar për llogari të debitorëve. Por në rastin e parë të aplikimit të së drejtës së tatimeve për të kërkuar shpallje falimenti, vërehen mangësi serioze në administrimin ligjor të kësaj procedure. Problemi nuk u shtrua më se si të hiqej dorë nga procedura e falimentit për kompanitë më të rëndësishme në listë, por edhe si të dilej me nder. Ministria e Financave lëshoi një deklaratë "inkurajuese" për Tatimorët, por gjithashtu shprehu "bindjen se në një proces verifikimi të drejtë e të ndershëm nga gjykatat shqiptare, gjithkush do të ketë mundësinë të provojë me prova dokumentare se nuk ndodhet në kushtet e paaftësisë paguese, duke garantuar edhe pagimin e tatimeve të ardhshme". Megjithatë, për një pjesë të kompanive, nuk ishte e nevojshme që çështja të diskutohej në gjykatë. Zyrat avokatore i bindën tatimorët se e kishin gabim.

Shkarkimi, Jovan Jano emërohet drejtori i biznesit VIP në vend të Hasan Zaçes

Jovan Jano do të jetë emri i drejtorit të ri të bizneseve VIP në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Me anë të një komunikimi zyrtar kreu i Tatimeve, Artur Papajani, konfirmoi largimin e ish-drejtorit Hasan Zaçe dhe se zëvendësimin e tij nga Jano, me qëllim rritjen e performancës së degës VIP të tatimeve. Përfshirja pa të drejtë në listën e kompanive, të cilat DPT-ja i ka dërguar për falimentim të detyruar në Gjykatë, disa subjekteve VIP, ka sjellë shkarkimet e para në administratën e lartë tatimore. Burime jozyrtare nga DPT-ja kanë thënë për mediat se, Zaçe është ngarkuar me faj për kontrollin jo të saktë të bilanceve të disa kompanive, ndër më të mëdhatë në vend. Ndërkohë në lidhje me këtë fakt drejtori i Përgjithshëm, Papajani, ka thënë se deri në fund synohet rritja e numrit te kompanive VIP nga 800 që është aktualisht në 1100. Rritja e numrit të tyre do bëhet në bazë të klasifikimit të xhiros. Deri tani 150 kompani të reja kanë përmbushur kriteret për t’i klasifikuar ne sistemin e kompanive VIP.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›